Sipërmarrësit sllovenë, interes të investojnë në Shqipëri

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/- Më shumë se 50 biznese shqiptarë dhe sllovenë u takuan sot në forumin e biznesit “Shqipëri-Slloveni”, që u organizua në Tiranë.

Në këto takime specifike kryesisht në fushën e infrastrukturës, teknologjisë, turizmit, energjisë, agropërpunimit etj., sipërmarrësit e dy vendeve zhvilluan një paradite pune dhe kontakte bashkëpunimi, që siç u shprehen vetë sipërmarrësit, u konsideruan të vlefshme dhe frutdhënëse.

Pjesë e këtij forumi ishin dhe kryetarët e Dhomave të Tregtisë së të dy vendeve dhe ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Sllovakisë

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka si pritësi i sipërmarrësve sllovenë, duke i falënderuar për ardhjen në Tiranë u shpreh se “bashkëpunimi ynë mes Dhomave të Tregtisë dhe Industrive të dy vendeve tona është i hershëm i konkretizuar që në vitin 2009 me marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy dhomave tona, duke na çuar në bashkëpunim permanent me sipërmarrësit e dy vendeve”.

Duke falënderuar ministrat për praninë e tyre në forum, Jaka vlerësoi rëndësinë e këtij takimi me idenë e hedhjes së hapave konkretë në kontrata biznesi mes sipërmarrësve të të dy vendeve.

“Dhoma jonë në bashkëpunim me Ambasadën e Sllovenisë dhe dhomën homologe, mendoj se duhet të punojmë më shumë në fushën e shkëmbimit të informacionit, veçanërisht për mundësi konkrete financimi si: fonde, grante dhe skema financimi që mund të ofrohen nga qeveria Sllovene në drejtim të konkurrueshmërisë dhe inovacionit, dhe në përfitim të biznesit shqiptar”, u shpreh ai në fjalën e tij, duke shtuar se “forumi i sotëm e sjell këtë informacion të rëndësishëm nga ku ne si dhome marrim përgjegjësinë maksimale në informimin dhe nxitjen e sipërmarrjes sonë për të qenë përfitues të këtyre avantazheve nga vendet e huaja, konkretisht nga Sllovenia”.

Homologu i tij slloven Matej Rogejl e shikon vendin tonë si një mundësi që sipërmarrësit slloven të investojnë kapitalet e tyre. Ai u shpreh në forum se “është e rëndësishme të vendosim kontakte të vazhdueshme dhe të shohim se ku mund të zhvillohen kapitalet tona”.

Ndërsa Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, dhe zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Miro Cerar përshëndetën Forumin e Biznesit shqiptaro-slloven, duke vlerësuar interesin e dyanshëm dhe potencialin real të pashfrytëzuar deri tani duke theksuar se bashkëpunimi ekonomik, do të jetë një prioritet për dy ministritë e Jashtme dhe diplomacinë ekonomike.

Ministri Bushati theksoi se Forumi i biznesit është dëshmia e fundit e angazhimit të përbashkët si dhe një konfirmim i potencialit real për rritjen e shkëmbimeve tregtare, fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe nxitjen e investimeve. Në këtë kontekst, në Forumin e Biznesit Shqipëri-Slloveni, u vu theksi tek rëndësia e bashkëpunimit në fushën  e turizmit, energjisë, mjedisit, agro-përpunimit, farmaceutikës, infrastrukturës, etj.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.