SHËNIM – Bebe OMGJ, shimpanze të klonuara: Kina përballë bioetikës!

160

PEKIN, 27 nëntor /ATSH-AFP/ – Shimpanze të klonuara, uzina të klonimit të lopëve dhe tani “bebe OMGJ”, deklarata kumbuese e shkencëtarit He Jiankui mbi lindjen e njerëzve gjenetikisht të modifikuar tregon boshllëqet e rregullores mbi bioetikën në Kinë.

Vendi kërkon të bëhet një lider i kërkimit gjenetik dhe klonimit por zonat gri të legjislacionit i kanë hapur rrugën eksperimenteve shpesh herë të përfolura.

Shkencëtarët kinezë ishin të parët në vitin 2015 që arritën të modifikojnë gjene të embrioneve njerëzore, sipas revistës “Nature”.

Të njëjtin vit, një zonë e klonimit të kafshëve ishte në ndërtim në Tianjin (veri), me ambicien për të prodhuar deri në një milionë lopë për mish në vit.

Në fillim të vitit 2018, shkencëtarët kinezë arritën të mundësojnë që të lindin për herë të parë shimpanze gjenetikisht identike, duke përdorur të njëjtën teknikë të klonimit të përdorur para më shumë se 20 vite për delen e famshme Dolly, gjitari i parë i klonuar.

Nëse këto kërkime mund të mundësojnë që të gjenden mjekime apo trajtime ndaj sëmundjeve njerëzore, ato ngrenë pyetje mbi çështjet etike, kryesisht në lidhje me klonimin e njeriut.

Frikë

Tashmë, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, që varet nga Ministria e Shëndetësisë, ka urdhëruar një hetim mbi çështjen e modifikimit gjenetik të binjakeve.

Nga ana e tij, gjatë një konference për shtyp të zhvilluar sot, zëvendësministri i Shkencave dhe Teknologjisë, Xu Nanping theksoi, sipas televizionit publik se “nëse binjaket kanë lindur vërtetë, kjo është e jashtëligjshme”.

Në fakt, sipas parimeve etike të formuluara në vitin 2003 për sa i përket kërkimit mbi qelizat burimore të embrioneve, kultivimi in vitro është i mundur, por vetëm për 14 ditë pas fertilizimit apo transplantit të bërthamës.

Spitali “Harmonicare” i përfshirë në këtë eksperiment, garantoi nga ana e tij se dokumenti i autorizimit me shumë mundësi ishte falsifikuar.

Një grup prej 122 shkencëtarësh kinezë kanë dënuar “çmendurinë” e shkencëtarit dhe Universiteti Jugor i Shkencave dhe Teknologjisë, ku punonte He Jiankui, u shpreh se i konsideron kërkimet e tij si “një shkelje e rëndë e etikës dhe normave universitare”.

Njeriu i cili është në origjinë të këtij skandali mbrojti punën e tij në një video të re, ku shprehet se kërkon të ndihmojë familjet që vuajnë nga sëmundjet gjenetike.

“Ne mendojmë se etika është në krahun tonë. Kujtoni Louise Brown, bebja e parë e lindur nëpërmjet fekondimit in vitro në vitin 1978, të njëjtat frika dhe të njëjtat kritika përsëriten edhe sot”, theksoi ai. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.