Në 2017, më shumë leje ndërtimi për hotele se në 4 vite bashkë

TIRANË, 27 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Vetëm në vitin 2017 janë dhënë leje për ndërtim hotelesh më shumë se në 4 vite të mëparshme të marra së bashku dhe sipërfaqja totale e metrave katrorë hoteleri që do të krijohet nga këto leje është një sipërfaqe më e madhe sesa sipërfaqja e ndërtuar për hotele në 10 vite më parë.

Në samitin e investitorëve të huaj në turizëm që po zhvillon sot punimet në Tiranë, Kryeministri Edi Rama u ndal te kjo statistikë e rëndësishme që dëshmon vizionin e qeverisë për zhvillimin e turizmit.

“Të dhënat e INSTAT flasin për një rritje më të madhe në tremujorin e parë të 2018. Vetëm në 3-mujorin e parë kërkesa për leje ndërtimi për turizmin është sa gjysma e gjithë kërkesës në vitin 2017, domethënë 5-fish”, – tha Rama.

Duke sjellë disa statistika në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se në tremujorin e parë të 2015 e nisëm me 0 kërkesa, ndërsa në tremujorin e parë të 2016 kishte vetëm një leje.

Ndërsa tremujorin e parë të vitit 2017, sipas Ramës, janë 25 leje të miratuara për hoteleri.

“Kjo dëshmon një nivel tjetër nga çfarë keni parë në dekadat e para të tranzicionit. Fakt është se në 1929 Shqipëria kishte 27 hotele të regjistruara, ndërsa në 2013 kishte 30 hotele të certifikuara. Por në 2013 ka pasur shumë hapësira të vetëquajtura hotele, por të certifikuara ishin vetëm 3 më shumë se në 1929”, – shtoi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.