LUKSENBURG – Gjykata e lartë e BE-së ”pyetet” nëse Britania mund të anulojë Brexit

117

LUKSENBURG, 27 nëntor /ATSH-DPA/ – A mundet Britania e Madhe të kthejë vendimin e saj për të dalë nga Bashkimi Europian? Çështja u shqyrtua nga Gjykata e Bashkimit Evropian në një seancë të zhvilluar sot.

Problemi është ngritur fillimisht në gjykatën skoceze në një peticion të organizuar nga deputeti Andy Wightman dhe të tjerë, i cili donte të dinte nëse Britania e Madhe ka mundësinë për tu tërhequr mbrapa nga neni 50-të i Traktatit të BE-së, që aktivizoi afatin dy vjeçar për Brexit.

Gjykata skoceze e dërgoi çështjen për gjykim në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (ECJ), në fillim të tetorit, duke i kërkuar nëse ligji i BE-së e lejon një shtet anëtar të tërhiqet në mënyrë të njëanshme duke përmendur nenin 50 .

Qeveria britanike ishte përpjekur pa sukses për pushimin e çështjes, duke argumentuar se pyetja ishte thjesht hipotetike pasi ajo nuk ka ndërmend ta bëjë këtë.

“Një vendim i Drejtësisë Europiane do të sqarojë mundësitë e hapura për deputetët, kur ata të votojnë në këto çështje”, tha gjykata skoceze.

Parlamenti britanik do të votojë më 11 dhjetor për marrëveshjen e largimit të negociuar mes Londrës dhe Brukselit, që përcakton kushtet e largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja, si dhe një deklaratë të përbashkët politike mbi marrëdhëniet e ardhshme.

Ky rasti është përshpejtuar nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, me qëllim që të përfundojë përpara se Britania të largohet nga BE-ja më 29 mars 2019. Megjithatë asnjë vendim nuk pritet të jepet deri më 11 dhjetor. /os/ /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.