Ligji për investimet strategjike, lehtësi dhe garanci për sipërmarrjet e huaja

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/- Ndryshimet dhe risitë në Ligjin për Investimet Strategjike në Shqipëri, krijojnë lehtësi dhe mundësi për nxitjen e sipërmarrjeve të huaja në sektorë të ndryshëm të ekonomisë të vendi tonë dhe veçanërisht të turizmit, për potencialet dhe rezurset që ka Shqipëria.

Kështu u shpreh sot Drejtori i Investimeve të Huaja Direkte në Agjencinë e Nxitjes së Investimeve (AIDA), Genc Çeli, ndërsa ftoi sipërmarrësit e huaj të pranishëm në Samitin e Investitorëve të Huaj në Turizëm, që zhviloi punimet sot në Tiranë, të ndërmarrin incentiva konkrete bashkëpunimi në këtë sektor.

Duke u ndalur në disa pika të rëndësishme të këtij ligji Çeli tha se, tashmë kemi një një ligj të unifikuar investimesh, që garanton investitorët e huaj në përputhje me parimet e ligjeve ndërkombëtare.

“Për më tepër, ligji për investimet strategjike, garantojë zbatimin e standardeve të punës, sigurisë dhe mjedisit, rregullave të parashikuara në ligjet shqiptare dhe në përputhje me traktatet ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë” shpjegon Çeli.

Pjesë e legjislacionit, theksoi ai janë dy risi kryesore: E para, ka të bëjë me garancitë juridike dhe e dyta, ofron instrumentin “fast track”, një korsi të shpejtë në administratë për të mbështetur investitorët që të marrin lejet dhe të fillojnë investimin e tyre.

Samiti i Investitorëve të Huaj në Turizëm, ishte eventi që mblodhi sot zyrtarë të lartë të qeverisë dhe të gjithë aktorët e turizmit për të prezantuar strategjinë që vendi ynë do të implementojë për zhvillimin e këtij sektori kyç për ekonominë. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.