Klosi: Sfida jonë, Shqipëria destinacion turistik europian

TIRANË,27 nëntor /ATSH- I. Vata/ – “Shqipëria një destinacion turistik europian është sfida jonë”, deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në Samitin e Investitorëve të Huaj në Turizëm që u zhvillua sot në Tiranë.

Në fjalën e tij, Klosi tha se investitorët e huaj janë sot realitet në Shqipëri, disa në fazën e investimeve, të tjerë në ato të investimeve e disa të tjerë në përfundim të projekteve të tyre.

“10 nga këto brande ndërkombëtare kanë kapërcyer kufirin shqiptar për të futur në hartën e tyre të investimeve një destinacion të ri. Janë sot në Shqipëri për të rritur vlerën dhe për të rritur gjithë biznesin e turizmit në vendin tonë. Janë të gjitha markat e mirënjohura ndërkombëtare, bizneset e hotelerisë, janë histori suksesi, garanci cilësie, përfaqësojnë  konkurrueshmërinë më të lartë të niveleve europiane”, – tha ai.

Në vijim, Klosi shton se këto operatorë nga më të njohur të turizmit kanë zgjedhur Shqipërinë që nga viti 2018 dhe janë destinuar për të sjellë turistë të huaj në vitin 2019.

“Pothuajse të gjithë grupet e investitorëve vendas me kapitalet e tyre dhe me kapitalet e përbashkëta e partnerët e huaj po investojnë nga veriu në jug, nga Valbona në Konispol, nga derdhja e Bunës në kufirin verior duke projektuar e menduar për investime në botën e turizmit në vendin tonë. Dhjetëra kompani janë sot realitet në menaxhimin e bregdetit shqiptar,me qindra dhoma me mijëra shërbyes në to të mirëpresin plotë 6 milionë turistë të huaj në vendin tone”, – tha ai.

Klosi tha së është shtuar numri i operatorëve që investojnë në turizëm.

“INSTAT, zyrtarisht publikon në Shqipëri se hoteleria ka përfshirë 61 bashkitë e vendit. Në vitin 2016, janë licencuar vetëm 11 hotele në 2017 janë regjistruar 53. Në 2018 në gjashtëmujorin e parë kanë marrë lejen dhe kanë filluar investimet plot 115 hotele”.

Më tej, Klosi tha se jemi mbledhur për të lexuar drejtë të ardhmen e zhvillimit të turizmit tonë, por për mbi të gjitha jemi sot për të marrë përgjegjësitë e orientimit së bashku me ju të këtij zhvillimit të vrullshëm në rritjen e kapacitetit akomodues në vendin tonë.

“Modeli pa model i 20 e ca viteve i gëzohej vetëm fitimit të menjëhershëm dhe pengonte perspektivën afatgjatë, por tashmë është i ezauruar. Për ne, sfida është e qartë, sfida jonë e shpallur 10 milionë turistë në vitet e para të dekadës së re nuk është përmbushur në ditën kur do të hyjnë 10 milionë turistë në vendin tonë. Sfida 10 milionë turistë është në të vërtetë, dita kur turizmi shqiptar do jetë shndërruar në industri të turizmit”, – tha Klosi.

Gjithashtu, Klosi tha se po ndërtojmë një mekanizëm, jo vetëm me ndërhyrje ligjore por dhe buxhetore.

“Në vitin 2019 buxheti shton investimet në këto zëra që përmenda, duke identifikuar se cili është modeli, cila është rruga, cila është është përpjekja jonë për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion europian turistik”, – tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.