Ish-ambasadori Arvizu, merr titullin “Për Merita të Veçanta Civile”

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ – Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander A. Arvizu u vlerësua sot nga Presidenti i Republikës me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile.”

Kreu i Shtetit shqiptar i akordoi ish-Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Titullin e lartë me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë diplomatike dhe kontributit të tij të çmuar në përparimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe gjatë mandatit të tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe në vijim si dhe për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit euro-atlantik të vendit”.

Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm personalitete të ndryshme të trupit diplomatik të akredituar në Shqipërisë, ish-presidentë, ministra e deputetë, politikanë, intelektualë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në fjalën e tij Presidenti Meta e cilësoi Arvizun “një mik të Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve”.

“SHBA-të kanë pasur dhe vazhdojnë te kenë një rol vendimtar dhe një rëndësi vitale në historinë e shtetit shqiptar që prej krijimit të tij, për çka Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë gjithmonë mirënjohës. Në këtë kontekst vendoset edhe kontributi i ambasadorit Arvizu gjatë, por edhe pas shërbimit të tij diplomatik në Shqipëri”, – tha Meta.
“Ambasadori Arvizu nuk ka nevojë për shumë prezantim, pasi secili prej jush e ka njohur dhe ka punuar me të gjatë viteve që ai përfaqësoi SHBA-të si ambasador në Shqipëri nga dhjetori i 2010-s, deri në janar të 2015-s duke qenë dhe ambasadori më jetëgjatë i SHBA-ve i cili ka shërbyer në vendin tonë”, – u shpreh Presidenti Meta.

Meta theksoi se, “përpara se të emërohej ambasador në Shqipëri, ai ka spikatur për një karrierë të pasur e të suksesshme, duke mbajtur disa pozicione të rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe përfaqësitë jashtë Shteteve të Bashkuara”.

“Gjatë veprimtarisë së tij diplomatike si ambasador në Shqipëri ai dha një kontribut të madh në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një moment i veçantë ishte vizita e Sekretares të Shtetit, Hillari Klinton dhe fjala e saj në Parlamentin Shqiptar për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”, – tha Meta.

Po kështu, theksoi Meta, “ambasadori Arvizu ka një meritë të veçantë për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit euro-atlantik të vendit si dhe për ndihmën efikase në përparimin e reformave kyçe, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, por edhe reformën në drejtësi”.

“Për Reformën në Drejtësi, që ka qenë kryefjala e viteve të fundit, do të theksoja në veçanti angazhimin e Tij jo shumë të dukshëm, por mjaft aktiv në detyrën e zv.ndihmës Sekretarit të Shtetit për çështjet e drejtësisë dhe të luftës kundër drogës, duke sugjeruar gjithmonë bashkëpunim dhe konsensus mes të gjitha palëve për realizimin e kësaj reforme madhore edhe gjatë dy vizitave të tij të kryera në Shqipëri. Pa diskutim një kontribut i tij ka qenë ai i mbështetjes së vendit tonë edhe në kuadër të NATO-s”, – u shpreh Meta.

“Ambasadori Arvizu ka gjithashtu meritë të veçantë në mbështetjen e shoqërisë civile në Shqipëri me nismën mjaft të njohur “Act Now” me qëllim për të bashkuar zërin e qytetarëve për të drejtat e tyre. Ai arriti të bashkojë përfaqësues të medieve, të shoqërisë civile dhe intelektual të ndryshëm me synimin për të njohur publikun me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre. Ai nuk ishte një diplomat skematik, por realist duke përshtatur politikën e vendit të tij me realitetin dhe zhvillimet dinamike të Shqipërisë. Duke qenë bashkëpunues dhe përfshirës me të gjithë aktorët institucional dhe shoqëror në vendin tonë”, theksoi Meta.

Ndërkohë, shtoi Meta, “ai vazhdon të mbetet një promovues i shquar dhe plot pasion i SHBA-ve dhe kudo ku ka mundësi. Detyra e tij e re si anëtar nderi në organizatën prestigjioze “German Marshall Fund” do t’i japë mundësinë të vazhdojë punën e tij në mbështetje të demokracisë sonë ende të re”.

“Kemi ndarë momente të vështira, por edhe të bukura me Ambasadorin, ndaj sot kam kënaqësinë të vlerësoj Ambasadorin me një dekoratë të veçantë, atë “Për Merita të Veçanta Civile”. Sikurse ai vetë thotë: “Të qenit në Shqipëri është një përvojë gati surreale, pasi edhe pse kam udhëtuar në shumë vende të botës, askund nuk kam gjetur njerëz të jenë kaq proamerikanë sa në Shqipëri dhe kur mendoj për shumë nga kolegët e mi që kanë shërbyer në vende të tjera, disa prej të cilëve kanë humbur jetën e tyre, jam i lumtur dhe i privilegjuar që kam qenë në Shqipëri. Dua ta siguroj Ambasadorin se edhe ne jemi të privilegjuar që vazhdojmë të kemi një mik si ai. Dhe këtë më mirë se fjalët e mia e tregon dhe kjo pjesëmarrje kaq e nderuar sot. Faleminderit Ambasadorit dhe të gjithëve që na kanë nderuar sot në këtë ceremoni!” – u shpreh Presidenti Meta.

Ish-ambasadori i SHBA, Alexander A. Arvizu shprehu mirënjohjen dhe kënaqësinë e Tij për vlerësimin nga ana e Presidentit Meta si edhe siguroi se do të vazhdojë të promovojë vlerat më të mira të Shqipërisë.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.