Ballafaqimi i shifrave për Unazën, ARRSH: Ja sa kushtoi segmenti që ndërtoi PD

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ – Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro doli sot përpara medieve në një komunikim të posaçëm për të bërë transparencë mbi akuzat e hedhura nga opozita për koston e projektit të rehabilitimit të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti Pallati me Shigjeta- Sheshi Shqiponja.

Pretendimit të liderit të opozitës Lulzim Basha se kostot e kësaj vepre janë të fryra disafish krahasuar dhe me segmentet e tjera të unazës, Qendro ju përgjigj duke sjellë në vëmendjen e opinionit publik tre shembuj konkret: atë të segmentit “Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike”; atë “Shkolla Teknologjike –Sheshi Shqiponja”; dhe krahasimin mes kostos së mbikalimit të Kamzës dhe atij të projektit të ri me Nyjen e Shqiponjës.

“Për efekt krahasimi në kushte të barabarta, për shkak se segmenti “Komuna e Parisit – Shkolla Teknologjike” nuk ka një vepër të natyrës dhe madhësisë së Nyjes së Sheshit Shqiponja, kjo e fundit është ndarë më vete, jashtë projektit që krahasohet.

SHEMBULLI 1

Kosto e segmentit “Komuna e Parisit – Shkolla Teknologjike”. Projekt i hartuar dhe filluar zbatimin në qeverisjen e PD dhe Bashës kryebashkiak të Tiranës.

1. Projekti i hartuar në vitin 2012 (miratuar nga Këshilli Teknik i Bashkisë pa pjesëmarrjen e ARRSH).

2. Kontraktorët (Albavia dhe Salillari).

3. Parametrat: Gjatësia 2,05 km. (Rrugë kategoria A Urbane 2.05km + rrugë dytësore 3.88km).

4. Veprat inxhinierike janë struktura të thjeshta inxhinierike: 4 mbikalime automjetesh; 1 nënkalim automjetesh.

5. Kosto totale e ndërtimit 28,95 milion Euro (pa TVSH).

6. Kosto për kilometër 14,12 milion Euro.

SHEMBULLI 2

Kosto e segmentit “Pallati me Shigjeta –Sheshi Shqiponja”. Projekti i cili po zbatohet aktualisht nga ARRSH.

1. Projekti i hartuar në vitin 2018 (Miratuar nga Këshilli Teknik i ARRSH, me pjesëmarrjen e Bashkisë Tiranë +Oponencë Teknike nga Instituti i Ndërtimit).

2. Projekti me Leje Zhvillimore dhe Leje Mjedisore.

3. Kontaktorët (Victoria Invest, Salillari dhe DH Albania & Biba X).

4. Parametrat: 2,34 km (Rrugë kateoria A Urbane 2.34km+ rrugë dytësore 6,63 km).

5. Vepra inxhinierike struktura të komplikuara: 2 mbikalime auto+këmbësorë; 3 nënkalime auto+këmbësorë; 1 urë tek Lana.
6. Kosto totale e ndërtimit 30,3 milion euro (Pa TVSH). (Nyja Shqiponjës trajtohet më vete).

7. Kosto për kilometër 12,95 milion euro.

Nga analiza e këtyre dy shembujve del konkretisht se kostoja për kilometër në projektin “Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja nuk ka ndryshime nga ato të ndërtuara në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike dhe kur bashkinë e Tiranës e drejtonte Lulzim Basha. Fakti se rruga përshkon trupin e asaj ekzistuese në rastin e segmentit të ri bën që kosto për kilometër të jetë madje më e lirë. Ky efekt neutralizohet për shkak se manuali shtetëror i çmimeve të ndërtimit në Shqipëri krahasuar me vitin 2012, pra 6 vjet më parë është rritur me 30% dhe vepra që po zbatohet aktualisht ka një vepër inxhinierike më shumë e cila ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos totale të projektit. I gjithë procesi i ndjekur për projektin e Unazës së Tiranës është një proces etik, ligjor, transparent dhe efiçent”, – theksoi Qendro.

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim qëndro u është përgjigjur edhe akuzave të Partisë Demokratike të cilët e kanë cilësuar projektin e “Unazës së Re” si të jashtëligjshëm.

“U bëj thirrje banorëve të dorëzojnë të gjithë dokumentet që të nxjerrim VKM për të bërë të mundur shpronësimin. Ata që janë me legalizim, të bashkëpunojnë me ALUIZNI-n dhe me bashkinë e Tiranës. Meqë kemi pasur disa akuza nga eksponentë të opozitës dhe jo vetëm, dua të shpjegoj disa gjëra. Dua të shpjegoj se projekti i segmentit të “Unazës” i ka ndjekur të gjitha hapat ligjorë të duhur. Kemi një kërkesë zyrtare nga bashkia, nga ana tjetër miratimin e fondit nga Ministria e Transportit, më pas urdhrin e drejtorit të ARRSH dhe më pas Këshillin Teknik. Ne i jemi drejtuar 3 kompanive për bashkëpunim. Për bashkëpunim janë ndjekur të gjitha kontratat, pagesat që ka bërë kompania, taksat dhe tatimet që e detyron ligji. Në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, kemi miratuar projektidenë dhe e kemi çuar në Institutin e Ndërtimeve. Të gjitha fazat ligjore i kemi bërë më së miri. Ky projekt është komfort standardeve. Segmenti ka marrë lejen nga Këshilli Kombëtar Arkeologjik, vendimin për ndikimin në mjedis në datë 12/11/2018″, – tha Qendro.

Për të ndihmuar banorët për vlerësimin e pasurive të tyre, ARRSH ka çuar në terren edhe grupet e punës. /e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.