Protesta, Basha: Opozita do të përkrahë banorët, projekti vjedhje e pastër

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një interviste televizive theksoi se protesta e banorëve të “Astirit” nuk po përdoret politikisht nga ana e opozitës.

Kreu i PD u shpreh se është detyra e opozitës që të jetë përkrahë këtyre njerëzve.

“Është detyra jonë të jemi në krah të këtyre njerëzve. Po shkojnë t’u prishin shtëpitë pa ligj, pa ju dërguar një copë letër. 317 shtëpi, me mesatarish 2-3 kurora brenda, pra afërsisht një mijë familje. Po të mos ishim aty, do të ishim në shkelje të misionit tonë. Jemi në misionin tonë dhe duhet të jemi aty, jo vetëm ne, po të gjithë ata që e kuptojnë se prishja e shtëpive të këtyre njerëzve, është një hap larg prishjes së shtëpisë, mirëqenies dhe harmonisë në familjen e tyre”, – u shpreh Basha.

Në këtë intervistë të kreut të PD, Basha nuk munguan edhe akuzat ndaj qeverisë, duke e cilësuar projektin e “Unazës” si vjedhje të pastër nga ana e tyre.
“Është një vjedhje. Unaza është sebepi. Puna e komisarit ishte loja. Puna e Unazës është loja. Është vjedhje e pastër. 40 milionë eurot e taksave të tua, të operatorëve që keni këtu në sallë, të të gjithë shqiptarëve, po vidhen në një Projekt fantazmë. Nuk do të hyj në të gjitha shkeljet, se janë me dhjetëra shkelje. Është detyrë e prokurorisë t’i hetojë, është detyrë e medias t’i hetojë. Po të them vetëm një aspekt, e njëjta unazë, e njëjta kompani, Salillari, vetëm pak metra më tutje është ndërtuar me 8,6 milionë euro për kilometër. Si shkoi çmimi nga 8,6 në 20 milionë vetëm pak kilometra më tej? Si shkoi? Nga ana e procesit e kemi treguar, u futën 3 kompani në garë, për 3 lote, dhe nuk pati garë, sepse kompania tjetër, që ishte e njëjta, Vëllezërit Hysa quhej, që u fut në të tri lotet, nuk dha ofertë”, – tha Basha./e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.