Shqipëri-Kosovë, bashkim doganor

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Shqipëria dhe Kosova duhet të shkojnë drejt bashkimit doganor.

Kështu deklaroi sot në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Pejë, Kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, “vendoset tranzit në 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapa të tjerë brenda 6-mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor”.

“Duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor. Tranzit në 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapa të tjerë brenda 6-mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor. Kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd, qoftë në Bruksel, është i mirëpritur të vijë, të ulet në tavolinë, t’i shpjegojmë që nuk është kërcënim, por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim dhe Serbia e para të ndjekë shembullin e këtij bashkëpunimi.

Njohje e plotë e gjithë dokumenteve brenda gjashtëmujorit. Boll u bënë vite të tëra pavarësi, u bënë vite të tëra mbledhje dhe shprehje qëllimesh të mira dhe sot vazhdojnë kërkohen dy palë dokumente për lopët, për viçat, për delet andej e këtej. Një palë dokumente dhe brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm, çfarë jepet në Kosovë si dokument, duhet të konsiderohet dokument i nxjerrë në Shqipëri. Çfarë jepet në Shqipëri si dokument duhet të konsiderohet dokument i nxjerrë në Kosovë dhe sipërmarrësit shqiptarë të Kosovës apo të Shqipërisë mjafton të shkojnë në një derë dhe jo të shkojnë në dy dyer. Ne nuk jemi shqiptarët dhe serbët, ne jemi shqiptarët dhe shqiptarët”, – theksoi Rama.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.