FSHV seminar me trajnerët e moshave dhe gjyqtarët

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/- Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV), në përfundim të fazës së parë të kampionatit kombëtar, në të gjitha kategoritë: Të rritur, të rritura, të rinj dhe të reja, organizoi seminarin tekniko-arbitral me të gjithë aktorët e këtij sporti, trajnerë e gjyqtarë.

Ky seminar, u organizua në mjediset e Tirana Olimpik Park në kryeqytet me një pjesëmarrje masive. Mori pjesë edhe zv.presidenti i FSHV-së, Dashamir Brari, që në fjalën e tij shprehu rëndësinë e këtij seminari, për mesazhin që ai përcjell te gjyqtarët e trajnerët me ndryshimet në lojën e volejbollit, duke u fokusuar te përhapja e këtyre risive edhe në volejbollin tonë.

Sekretari i FSHV-së, Albens Vokopola relaton për lojën me 2 pasues
Seminari kishte disa qëllime të rëndësishme për FSHV-në. Njëri prej tyre ishte prezantimi i procedurës së lojës me dy pasues tek ekipet e moshave, seminar që u krye me gjyqtarët dhe trajnerët e ekipeve të moshave të cilët ishin të pranishëm. Sekretari i përgjithshëm i FSHV-së, Albens Vokopola, prezantoi këtë ndryshim në rregulloren e lojës, duke dhënë informacionin e nevojshëm për këtë risi që do të zbatohet në kampionatet e moshave për këtë sezon sportiv. Ky rregull do të mundësojë që të rritet numri i pasuesve (organizatorëve) e për rrjedhojë të rritet edhe niveli i tyre.

Konalsi Gjoka relaton gjatë seminarit me gjyqtarët

Më pas, fokusi i  këtij seminari u përqendrua te gjyqtarët, ku u trajtuan tema të ndryshme që kanë lidhje me rritjen profesionale të gjyqtarëve tanë. Këto tema prekën çështje të rëndësishme në lidhje me përgatitjen, menaxhimin e ndeshjes, komunikimin mes gjyqtarëve gjatë ndeshjes, masat ndëshkuese konform rregullores etj. Këto tema u trajtuan nga gjyqtarët ndërkombëtare Igli Fështi, Konalsi Gjoka dhe Endri Zguri.

Endri Zguri, relaton gjatë seminarit me gjyqtarët

Më tej, ky seminar me gjyqtarët vijoi me një trajnim të detajuar në lidhje me mbajtjen e protokollit manual dhe elektronik gjatë ndeshjes, detyrat e sekretarit etj. Në fund, të gjithë gjyqtarët iu nënshtruan një testi teorik në lidhje me njohuritë e fituara. Nuk mungoi edhe një trajnim i veçantë me një grup gjyqtarësh të rinj, që i janë afruar së fundi kolegjiumit dhe që bashkëpunojnë me FSHV-në në evente të ndryshme. /e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.