FOTO/ Shfaqja “Jashtë derës”, emocione tronditës dhe një revoltë ndaj shpërfilljes

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ – “Jashtë derës” është historia e një ushtari që kthehet në vendlindjen e tij, në Gjermani, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, e cila erdhi për publikun gjatë fundjavës në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli”.

Një vepër e madhe, një protestë për ata që ndihen jashtë dyerve, një emocion tronditës dhe një revoltë e thellë ndaj shpërfilljes erdhi për publikun nën interpretimin e aktorëve Endri Çela, Mehmet Xhelili,Romir Zalla, Dasara Xhangolli, Adriana Tolka, Ilirida Bejleri, Algiona Aga dhe nën regjinë e Mantas Janciauskas.

Shfaqja në subjektin e saj flet për historinë e një ushtari, ai kthehet dhe përpiqet që të vazhdojë jetën e të hyjë në shoqëri. Por eksperienca e tij në luftë është kaq e fortë saqë ai duke qenë një njeri mendërisht shumë i ndjeshëm e ka të pamundur të harrojë se çfarë ka ndodhur. Ai kthehet në shtëpi, por gruaja e tij është me një burrë tjetër. Përpiqet që të krijojë një marrëdhënie me një vajzë tjetër, por e kaluara i shfaqet papritur. Ai përpiqet t’i kthejë mbrapsht çdo gjë kolonelit, por merr përgjigje negative, ai përpiqet të shkojë në shtëpi, por…

Fjalët ”përpiqet” dhe “por” janë baza në këtë shfaqje. Është makthi i një të riu të cilit i janë mbyllur dyert.

Regjisori e sheh këtë vepër mjaft aktuale me realitetin në Shqipëri. Shumë njerëz kryesisht të rinj thonë se në Shqipëri është e vështirë të jetohet dhe të arrish diçka, sepse sistemi është dyshues. Nëse nuk janë nevojat bazë si mjekësia, përkujdesi, puna apo edhe arti, si mund të ekzistosh?

Kjo është lidhja kryesore me këtë pjesë, sepse në këtë shfaqje personazhet përballen me nevojat bazë të ekzistencës. Shfaqja erdhi për publikun në datat 22-23-24-25 nëntor ora 19:00, në Teatrin Eksperimental. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.