Bushati: Treg të përbashkët me Kosovën

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Shqipëria mbështet vendimin e Kosovës për të vendosur tarifën 100% doganore për mallrat nga Serbia, ndërsa shtoi se nuk do të aplikohet e njëjta gjë me fqinjin tonë, Greqinë.

Deklarata erdhi nga ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, gjatë një interviste për Report Tv.

“Shqipëria mbështet vendimin e Kosovës për të vendosur 100% tarifë doganore për mallrat serbe. Nuk do të aplikohet në Shqipëri. Qeveria shqiptare mbështet politikën e Kosovës për aplikimin e taksave ndaj Serbisë në kushtet specifike ku ndodhemi. Të gjitha vendet e rajonit janë pjesë e CEFTE-s”, tha Bushati.

“Aplikimi i taksave që Kosova po përqafon është një rrugë e vetme për të përballuar këtë situatë. Nuk mund të interpretohet që edhe Shqipëria do të bëjë të njëjtën gjë. Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi kalojnë përmes Kosovës. Ne jemi me Kosovën, por ne nuk do të aplikojmë të njëjtën gjë për Serbinë”, tha Bushati.

Kryediplomati shqiptar tha se bashkëpunimi mes dy vendeve konsiderohet strategjik. “Sot jemi në kushtet ku bashkëpunimi mes dy vendeve konsiderohet strategjik. Janë vendosur disa trase të rëndësishme që ne duhet të ndërmarrim veprime konkrete në fushën e tregut për heqjen e barrierave tarifore dhe jo tarifore”, tha Bushati.

Brenda 6-mujorit të parë të 2019 hiqet tarifa për roaming. Do të krijohet një pikë doganore në portin e Durrësit. Do të hiqen tarifat, do të zerohen barrierat. Do të hiqen 42 licenca që u nevojiten prodhuesve nga të dy anët e kufirit për të dalë në treg. Po krijojmë tregun e përbashkët”, deklaroi Bushati.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.