BRUKSEL – NATO në takim të jashtëzakonshëm pas tensioneve Kiev-Moskë

BRUKSEL, 26 nëntor /ATSH-AFP/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të thërrasë një takim të jashtëzakonshëm me Ukrainën sot pasdite në Bruksel, pas bllokimit nga ana e Rusisë të anijeve ukrainase në Ngushticën e Kershit, që shërben si pikë kalimi në Detin Azov.

”Me kërkesë të presidentit Poroshenko, sekretari i përgjithshëm pranoi të mbledhë një takim të jashtëzakonshëm të komisionit NATO-Ukrainë në nivel ambasadorësh këtë pasdite në Bruksel për vlerësimin e situatës’’, njoftoi NATO në një komunikatë shtypi.

Rusia bllokoi me forcë të dielën tre anije të marinës ukrainase në Ngushticën e Kershit, një veprim që nxiti një përshkallëzim të paprecedentë tensionesh në këtë zonë./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.