Bllokimi i Kosovës nga Serbia sfidues, kërkon reagim proporcional

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Në dialogun me Serbinë, Kosova ka përparuar duke ditur të bëjë lëshimet e nevojshme dhe duke iu përmbajtur parimeve të sovranitetit dhe reciprocitetit, por duke mos e marrë mbrapsht atë që i takon”.

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Pejë, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “përmbushjen e kuadrit të sovranitetit të Republikës së Kosovës, Shqipëria e sheh si një kusht që të rresht përdorimi i Ballkanit Perëndimor, si një zonë ku konfliktet janë gjithmonë një kërcënim potencial”.

“Ofiçinave të tyre, gjymtimi i këtij sovranitetit i jep gojë dhe dorë që të shpallin brishtësinë e Kosovës, si një vend, që ju vjen për shtat ta mbajnë në kllapa, duke e shfaqur herë si ‘kloakun’ e Ballkanit, herë si barkun e butë të krimit të organizuar, herë si mjekrën e fshehur të islamizmit radikal dhe herë si luftënxitësin e përhershëm ndëretnik”, – tha Rama.

Ndërkohë që Kosova, sipas tij, “është as më shumë dhe as më pak në gjithë këto vite shëmbëlltyra më kuptimplotë e dëshirës për paqe, shprehja më rrezatuese e respektit për minoritetet dhe mishërimi më domethënës i vullnetit për bashkëpunim, dialog dhe ndërveprim të sinqertë”.

Kosova, tha ai, “ka treguar se është absolutisht në gjendje të luaj rolin e saj ndërkombëtar, qoftë edhe në negociata, qoftë edhe me vende që dakordësitë drejt konsensusit i nënshkruajnë me dorën e djathtë, për t’i grisur më pas me të majtën, pa u tharë ende boja”.

“Kosova ka bërë përparim thelbësor në rrafshin rajonal, duke marrë presidencën e radhës në Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe në procesin e bashkëpunimit për Europën Juglindore. Po ashtu roli i saj është substancial dhe në angazhimet e tjera rajonale”, – tha Rama.

Duke folur mbi dialogun Kosovë-Serbi, Rama tha se “janë bërë përparime në shumë drejtime”. “Një draft dakordësimi është në përgatitje e sipër nën mbikëqyrjen e BE-së. Por, frenezia me të cilën Serbia po bllokon pranimin e Kosovës në instancat rajonale dhe ndërkombëtare, dhe deri te kurajoja e pashpjegueshme për të kërkuar tërheqjet e njohjeve të Kosovës si Republikë, nuk është thjesht shqetësuese por është sfiduese deri në dekurajimin e vetë procesit të dialogut dhe është provokuese deri në nevojën për reagime proporcionale”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “asnjë presje nuk i hiqet sot përfundimeve të një ish-ministri britanik sipas së cilit, bllokimi i njohjeve të Kosovës është inkurajimi më cinik ndaj enklavave kriminale, ku bashkëpunojnë mafie po aq multietnike sa vetë popullsia e Kosovës”.

Përpjekjet e Serbisë, shkruan ish–ministri britanik kanë cënuar ekonomikisht gjithë komunitetet pa përjashtim. “Fermerët kosovarë nuk shesin dot prodhimet e tyre në Serbinë e jugut. Kontejnerë apo vagonë të tërë me fruta dhe perime dhe prodhimet e një klime të favorshme të kërkuara në tregjet e Europës Veriore, duhet të dilnin përditë nga Kosova, por edhe këtu si gjetkë, Serbia bllokon. Tatimet në Serbi pajisin me certifikata firmat serbe në Kosovë, gjë që i lejon me përjashtim të atyre të kosovarëve shqiptarë, të shesin prodhimet në Serbi. Sipas BE-së sistemi paralel i dokumentacionit përkatës bie ndesh me konceptin e Kosovës, si një zonë e vetme tregtare e doganore në të cilin vetëm autoriteti kosovar ka të drejtë të lëshojë të tillë certifikata”, – citon Rama ish-ministrin britanik.

Ndërkohë, sipas Ramës, “spektri i bllokimit të marrëveshjes së energjisë dhe ndërprerjes së linjës 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Kosovës për këtë shkak, dëshmon se ndërlidhja rajonale është peng”.

“Është peng jo i paaftësisë së rajonit për ta konkretizuar, por i një filozofie të tërë, i një strategjie të tërë, i një qasje të tërë bllokuese regresive të njërit prej vendeve, rrugëtimi historik natyral i të cilit, duhet ta bënte të ndihej lokomotivë e integrimit”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.