Ulqin-Shkodër, 90 garues në maratonën e Pavarësisë

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/- Rreth 90 persona morën pjesë sot në edicionin e shtatë të Maratonës së Pavarësisë Ulqin-Shkodër.

Si asnjëherë më parë, garuesit ishin nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia por edhe nga Austria, Finlanda, Danimarka dhe Estonia.

Në pritjen e bërë nga kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, u ndanë edhe çmimet për fituesit e Maratonës së Pavarësisë si më poshtë: për kategorinë e femrave vendin e parë e fitoi Biljena Keraxhijeva, të dytin Qendresa Ramadani dhe të tretin Rita Zeqiri.

Ndërsa për kategorinë e meshkujve fitues ishin: vendi i parë Aleksandër Kiradiliev, i dyti Adrian Decani dhe i treti Zhelko Milloviç.

Çmimet për fituesit u shpërndanë nga Ilir Çapuni, kryetar i Këshillit Komunal të Ulqinit, Faik Nika, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi.

Një çmim special ishte rezervuar nga organizatorët për Arineta Mula, e cila përveç pjesëmarrjes në Maratonën e Pavarësisë, u vlerësua edhe si alpiniste pasi ia ka dalë të ngjitet në Malin Everest, lartësia më e madhe në botë.

Maratona Ulqin-Shkodër ka filluar në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, dhe është unike pasi që simbolizon bashkimin e dy qyteteve dhe dy vendeve.

Maratona e Pavarësisë i ka kaluar kufinjtë e shqiptarisë dhe organizatorët do ta regjistrojnë atë si një event ndërkombëtar që të përfshihet në kalendarët botërorë të maratonave./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.