Teknologjitë dixhitale, bujqësia e së ardhmes

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/- Shqiptarët u përfaqësua në panairin më të madh ndërkombëtar për makineritë në bujqësi “EIMA International 2018” që u zhvillua nga data 7-11 nëntor në Bolonja të Italisë.

Sipërmarrësit shqiptarë të sektorit të bujqësisë dhe agrobiznesit, të pranishëm në takimet B2B, vunë theksin në rëndësinë e programit IPARD që financohet nga Bashkimi Europian dhe qeveria Shqiptare, si mundësia e duhur që nxit ndryshimin e bujqësisë në vend drejt modeleve të zhvillimeve bashkëkohore.

Ndërkohë, teknologjia dixhitale ishte kryefjalë e këtij eventi, jo vetëm përmes lançimit të hapësirës tematike që i kushtohej sistemeve të saktësisë kompjuterike dhe elektronike, software-ve për makineritë bujqësore, njësive të kontrollit dhe dronëve bujqësorë, por edhe përmes iniciativave kulturore, konferencave gjithëpërfshirës apo mësimeve të nxjerra nga përvoja.

Panairi shërbeu për njohjen e teknologjive më të fundit të aplikuara nga vendet e zhvilluara në sektorin e tyre bujqësorë, në funksion të rritjes së eficiencës, prodhimit dhe fuqizimit të fermerit, duke e kthyer sektorin në lider.

Edicioni i 43-të i EIMA International tërhoqi në mjediset e saj 317 mijë vizitorë, me një rritje 11% në raport me eventin e shkuar të mbajtur në vitin 2016. e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.