Nata e Bardhë, koncert i madh në sheshin “Skënderbej”

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/-  E kthyer tashmë në një traditë, “Nata e Bardhë” do të vijë edhe në këtë fund nëntori me plot surpriza dhe më e zjarrtë se kurrë më parë.

Bashkia Tiranë ka menduar që edhe këtë vit për Festën e Çlirimit të vendit, më 29 nëntor, të organizojë një sërë aktivitetesh festive që revokojnë historinë e luftës kundër nazifashistëve dhe do të kurorëzohen me një mbrëmje fantastike në Sheshin “Skënderbej” me rastin e “Natës së Bardhë”.

E gjitha është konceptuar si një festë 24 -orëshe, ku të gjitha moshat do të kenë mundësi të gjejnë veten e tyre, për t’u mbyllur me spektaklin në Sheshin “Skënderbej”, ku ngjyrave të Fshatit të Festave do t’u shtohen edhe ritmet e muzikës.

Suksesin e premton këngëtarja e njohur e muzikës së lehtë dhe asaj popullore shqiptare, Aurela Gaçe.

Lajmin e bën të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.  “A jeni gati për një festë të magjishme për Natën e Bardhë? Aurela Gace na pret të gjithëve te Sheshi “Skënderbej”. Tag miqtë dhe mos mungo!”, thotë Veliaj.

Krahas divës së muzikës shqiptare në skenë do ngjitet edhe Melissa Magnaneli, këngëtarja e talentuar dhe me zë brilant që përfaqësoi Shqipërinë në festivalin ndërkombëtar, Sanremo Junior 2012. Në skenë do ngjiten edhe këngëtarët Krenar Seiti, Xheisara etj. 

Një vit më parë, Bashkia e Tiranës solli në Tiranë me rastin e Natës së Bardhë këngëtaren e njohur britanike, Emeli Sande./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.