Në 2013 trashëguam një Polici Shtetit të rrënuar

TIRANË, 24 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Në vitin 2013 ne trashëguam një Polici Shteti të rrënuar, ku policët vriteshin në krye të detyrës pasi çoheshin të keqarmatosur në aksione për kapjen e të shumëkërkuarve.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e prezantimit të flotës së re të makinave të Policisë së Shtetit.

“Shumë pak muaj pasi ne ishim në detyrë, ish-kryeministri përqeshte duke ekspozuar në tabelën e fletërrufeve të tij dixhitale, një makinë që transportonte të burgosur në Shkodër dhe që mbeti në rrugë, duke detyruar spostimin e të burgosurve në makinën tjetër. Përqeshte peshqeshin që na kishte lënë duke na vënë në pozitën tejet të vështirë për të mëkëmbur një Polici Shteti të rrënuar, dhe në tërësi një vend të rrënuar në çdo sektor”, tha Rama.

Duke iu referuar raporteve të partnerëve ndërkombëtarë, Rama theksoi se para vitit 2013, Shqipëria kishte një Polici Shtetit që kontrollonte vetëm 55% të territorit të vendit.

“Kishim një Polici me më pak se ¼ të efektivëve me arsim të lartë, me mbi 70% të automjeteve jashtë funksionit dhe me shumë probleme të tjera. Kishim Policinë më të keqpaguar në planet”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se para 2013, policët binin në krye të detyrës sepse armët e tyre nuk qëllonin, ose sepse çoheshin të keqarmatosur.

“Kemi 265 dëshmorë të Policisë së Shtetit prej të cilëve vetëm 6 janë përpara vitit 1990. Të gjithë  të tjerët janë dëshmorë të një periudhe të vështirë kthesash historike e dramatike, momentesh historike tragjike, por edhe si rezultat i një vijimësie tejet të mbrapsht në mbështetjen politike të Policisë së Shtetit”, tha Rama, duke theksuar se Policia e Shtetit ishte trupa më e ekspozuar dhe më e braktisur përball rrezikut për vite të tëra. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.