Diploarkiva-Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin, 26 vite më parë

TIRANË,24 nëntor /ATSH- I. Vata/ Ministria per Europën dhe Punët e Jashtme  Ditmir Bushati kujton Vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Vatikanin, 26 vite më parë.

“Vendi me histori të lashtë e të lavdishme, do e cilësonte Ati i Shenjtë Shqipërinë në audiencën e rrallë me pelegrinë shqiptarë në Vatikan, në kuadër të Vitit të Skënderbeut”, shprehet Bushati.

Historia e Diplomacisë Shqiptare sjell këtë javë dokumentet online për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të shtetit shqiptar me Selinë e Shenjtë, më 7 shtator 1991.

Kjo ishte pjesë e proceseve demokratizuese në vend dhe hapja e Shqipërisë ndaj Perëndimit. Afrimi me Vatikanin ishte mjaft i rëndësishëm edhe për faktin se prekte një pikë të ndjeshme tek shqiptarët, atë të ushtrimit të lirë të besimit fetar në Shqipëri. Këtë ngjarje e paraprinë ndryshimet në Kodin Penal për heqjen e dënimit për ushtrimin e besimit fetar dhe lejimin e hapjes së institucioneve fetare në Shqipëri në 1990.

Selia e Shenjte i ndoqi me vëmendje këto zhvillime në Shqipërinë e asaj kohe dhe po inkurajonte çdo përpjekje të Perëndimit për hapjen e vendit me botën e qytetëruar.

Të gjitha këto lëvizje kulmuan në gusht 1991 kur ministri i Jashtëm Muhamet Kapllani në vazhdim të bisedimeve të zhvilluara midis dy palëve i përcolli një notë zyrtare Sekretarit të Shtetit të Vatikanit Kardinal Rev.MA Angelo Sodano ku shprehte dëshirën e qeverisë shqiptare për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë.

Kjo e fundit iu përgjigj pozitivisht ftesës duke theksuar se “Selia e Shenjte beson që marrëdhëniet zyrtare të vendosura me Shqipërinë do jenë një avantazh për të dy palët, do ti shërbejnë forcimit të lidhjeve dhe miqësisë midis tyre, në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Selia e Shenjtë është e sigurt që Kisha katolike do të gëzojë në Shqipëri lirinë e plotë në ushtrimin e misionit të saj shpirtëror në vend si dhe do të ketë mundësinë të zhvillojë bashkëpunimin e saj me autoritetet shqiptare në fushën sociale dhe arsimore. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.