Vendosmëri për të çuar përpara Reformën në Drejtësi

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Java” në RTSH, theksoi se as ai, dhe as mazhoranca nuk ndihen të kërcënuar nga krijimi i drejtësisë së nesërme.

Kreu i qeverisë theksoi se qeveria është e motivuar për ta çuar përpara këtë reformë, deri në përfundimin e saj.

“Këtu do t’u përgjigjem me pyetje, nëse unë do të ndihesha i kërcënuar, pse do ta kërkoja me kaq ngulm këtë reformë dhe pse do të rrezikoja edhe pozicionin e Kryeministrit dhe mazhorancës me këtë reformë, kur erdhi puna që mund të shpërthente mazhorancën? Pse?

Kishte mundësi për ta çuar në drejtim tjetër, kjo do të bëhej me ata shqiptarët, ne ishim ata që do ta udhëhiqnim këtë proces, por nëse aktori kryesor shqiptar, siç ishte PS, nuk do të ishte aq e motivuar, procesi do të ikte më ngadalë dhe Shqipëria do të humbiste goxha”, – theksoi Kryeministri.

I pyetur për pushtetin që do të kenë ndërkombëtarët te SPAK dhe sa Shqipëria, Kryeministri theksoi se “pushteti i ndërkombëtarëve në këtë proces përcakton trupën, janë goxha përcaktues në trupë dhe trupa e dalë nga ana e tyre është një trupë e cila ka atë disponibilitetin që të jenë shumë bashkëpunuese me ta dhe patjetër te SPAK do të ketë influencë serioze, jo në kuptimin politik, por në kuptimin e ndërveprimit të afërt me agjencitë e tyre, gjë që sot nuk është aty ku ata do të dëshironin.

Kryeministri u ndal edhe te mbarëvajtja e Reformës në Drejtësi.

“Nuk e them unë, e thonë partnerët, është një reformë që është bërë me ritme jashtëzakonisht të larta dhe që nuk e kanë bërë të tjerët. Serbia dhe Mali i Zi janë në proces negocimi dhe do të duhet që të kalojnë dhe të bëjnë reformën tonë. Italia ka 20 vite që diskuton reformat në drejtësi dhe këto nuk janë gjëra që bëhen thjesht. Ne po diskutojmë për ngritjen e një sistemi nga e para, nuk është si të ngresh një qeveri, por një sistem dhe po bëhet gjithë ky pastrim, janë larguar 50 e ca persona, edhe janë pesha të rënda dhe nuk janë njerëz të dorës së shtatë, por njerëz që kanë mbajtur nën kontroll sistemin e drejtësisë. Është bërë një pastrim radikal në zemrën e sistemit demokratik”, – përfundoi Rama. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.