Sulmet për “Unazën e Madhe”, Rama nxjerr fakte për një gazetar të njohur

PERGJIGJA IME

Posted by Edi Rama on E premte, 23 Nëntor 2018

TIRANË, 23 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama solli në vëmendjen e publikut arsyet përse po sulmohet në disa medie për çështjen e protestës te Unaza e Madhe.

“Meqë ka persona që habiten pse më sulmojnë kaq shumë të ‘Paekspozuarit’, ka ardhur rasti të nxjerr një fakt që mbase ka lidhje me këtë për Ylli Kadriun. Ylli Rakipi i ofroi OSHEE-së, ndryshe e quajtur CEZ, një garazh në pallatin me 10 kate të ndërtuar prej tij, ku kryhej pritja për abonentin, me një tualet për gjithë stafin dhe abonentin bashkë, dhe pa gjenerator për rast errësire. Në bazë të një kontrate absurde, Ylli ka marrë deri vonë 2.561.334 euro qira dhe 33 mijë euro garanci”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “këtë kontratë të paekspozuar, atij ia prishi ‘organizata kriminale e rilindjes’, që ka një mijë e një të këqija, por të zezën që paratë e taksave publike t’i ndajë me Ylli Kadriun, apo me shumë yje të tjerë të medias e politikës që kanë rrezatuar për shumë vite duke marrë nga pushteti i radhës energji financiare, nuk e ka”.

Duke iu përgjigjur një komentuesi përmes rubrikës “Përgjigja ime”, Kryeministri Edi Rama sqaron edhe njëherë situatën me protestën për ndërtimin e Unazës së Madhe në Tiranë, dhe rolin e opozitës në këto ngjarje.

Situata e Unazës së Re, sipas Ramës, është një histori shumë e vjetër që tregon se sa shumë e vjetër është opozita që kemi. “Kur unë erdha në krye të bashkisë së Tiranës, PD e kishte drejtuar për 10 vjet kryeqytetin si makinën pa duar. Na u desh të prishnim godina, ngrehina, kioska pa fund për ta kthyer Tiranën më në fund në drejtimin e duhur. Ndërsa PD mbeti aty ku ishte dhe ku fatkeqësisht është edhe sot, në drejtimin më të gabuar”, tha Rama.

Ne duam të vazhdojmë të ndërtojmë Tiranën dhe Shqipërinë që duam për fëmijët e këtij vendi pa dallim, demokratë apo socialistë, shtoi Kryeministri duke theksuar se “opozita do të njëjtën gjë që ka dashur gjithmonë, rrumpallë dhe zhurmë ku gjej rehat çdo Kadri”.

Kryeministri nënvizoi se “qysh atëherë ka rrjedhur shumë ujë dhe janë bërë prishje të panumërta për interes publik, nga të gjitha qeveritë dhe bashkitë, por kurrë asnjëherë si sot, një parti politike se ka kthyer zonën e prishjeve në një shesh për përsheshin e luftës së vetë për pushtet”.

Rama theksoi se “tani tek Unaza e Re nuk protestojnë banorët realë dhe hallexhinjtë e ditës së parë, por protestojnë politikanët, që kanë një hall krejt tjetër nga ai i banorëve, dhe bashkë me ta edhe zaptuesit me 3.4, 5 deri në 8 godina pa leje”.

“Aty proteston administrata e protestuesve profesionistë të bashkisë Kamëz, grupi i gatshëm që vjen për të mbushur sheshin e përsheshit politik dhe bashkë me ta fanatikë të mbledhur andej këtej në Tiranë e jashtë saj, që luajnë rolin e popullit, populli që i përgjigjet thirrjes së Lul Kadriut për t’i dalë zot shkeljes së ligjit”, tha Rama.

Duke informuar për situatën me prishjen e objekteve të zonën e Unazës së Re, Rama tha se në atë zonë preken 211 godina, nga të cilat 77 kanë dokumenta pronësie dhe 134 godina janë të paligjshme.

“Nga ato 77 familje, deri tani pranë ARRSH-së kanë aplikuar për të marrë lekët e shpronësimit ligjor për interes publik 50 prej tyre. Prej atyre pa dokumenta dhe që kanë aty vetëm shtëpinë, që deri tani rezultojnë të jenë shumë pak, pasi pjesa më e madhe aty kanë vetëm biznes, Bashkia e Tiranës merr aplikimet për bonusin 3-vjeçar të qerasë”, tha Rama.

“Përtej propagandës të mbështetur edhe nga analistë, komentatorë apo portalistë të korruptuar financiarisht apo mendërisht”, Rama tha se “shumica e njerëzve të zakonshëm të asaj zone lufte politike i janë larguar konfliktit të stisur në kazanin e madh politik dhe mediatik dhe i janë drejtuar rrugës ligjore”.

Thirja ime e përsëritur për të gjithë, vijoi Kryeministri, është që të mos bëhen mish për topat e opozitës, sepse këta dalin një xhiro andej, hedhin benzinë, vënë zjarrin e ikin. “Ama zjarri i antiligjit djeg ata që u venë nga pas qorrazi. P.sh. ata që janë arrestuar pas ngjarjeve kriminale me lëndë plasëse dhe me goditje të Policisë, që çuan në plagosjen e rëndë dhe të pafalshme të polices 24-vjeçare do të ishin në shtëpi sot, dhe jo në burg, po të mos kishin shkuar qorrazi pas kadrinjve pa din, pa imam dhe pa nishan, të cilët fjetën nëpër shtëpia mbrëmë dhe sot do të dalin të bëjnë prapë një xhiro andej nga Unaza dhe do të kërkojnë prapë mish për top”, tha Rama.

Kryeministri solli si shembull edhe rastin e protestave për Teatrin Kombëtar dhe politizimit që i bëri opozita kësaj çështje. “Opozita kërkon mish për topat e tyre, në këtë shfaqje kaq agresive të antishtetit dhe antiligjit, kurrë e ndodhur më pare në Shqipëri. Është si të kërkosh diçka që ligji jo nuk e ka, por e ndalon kategorikisht, ndërkohë që dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë qysh prej prishjeve të para masive e kanë humbur investimin e gabuar aty ku ligji e ndalon kategorikisht legalizimin dhe kanë ikur pa kërkuar qiqra në hell”, tha Rama.

Kompania e falimentuar e PD-së, sipas Kryeministrit, “nuk do t’ia dijë për shtëpitë e banorëve, por mbron vetëm qoshen e tyre ku po hyn lagështira e humbjes së radhës”.

“Po krijohen institucionet e reja të drejtësisë, meraku i tyre i madh që i le pa gjumë. Vendi po vazhdon kthesën që i lë ata gjithnjë e më prapa, gjithnjë e më të pasigurt për të nesërmen e tyre, gjithnjë e më të dëshpëruar. Po kush ia ka fajin në rrugën pa vizion, pa ide, pa program apo pa lider. Trup pa kokë që shkojnë ku e çojnë këmbët. I bëjnë këto se nuk e mundin dot me vota qeverinë”, tha Rama.

Por, Kryeministri siguroi se këtij populli nuk ia hodhën dje, as sot dhe nuk do t’ia hedhin kurrë dot, por do të marrin faturën sipas dëmit që i bëjnë Shqipërisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.