Ruçi: Unaza e Madhe, po zbatohet VKM e ish-kryeministrit Berisha

TIRANË, 23 nëntor /ATSH- I. Vata/ – “Kishte të drejtë qeveria Berisha kur me VKM, shpalli se nuk mund të ketë legalizime të ndërtesave që pengojnë veprat publike, pasi të njëjtën gjë thotë dhe qeveria Rama”, – tha Ruçi, i pranishëm në takimin e Libofshës për reformën e pronës. Ai ripërsëriti thirrjen për maturi dhe theksoi se unaza e madhe do të bëhet, se është vepër kombëtare.

Ruçi vuri në dukje se e kishte ndjekur me shqetësim demonstrimin te sheshi “Shqiponja” siç tha ai “të disa qytetarëve që lidhet me shpronësimet apo me moslegalizimet për arsye të një vepre madhore kombëtare”.

Ruçi tha se banorët e unazës së re po paguajnë gabimet e politikës.

“E ndjej fort se çdo të thotë të prishet shtëpia me apo pa leje, se mbi të gjitha jam një si ata. Por sot ju thosha një gjë, gabimin që bëj e vuaj vetë apo fëmijët, kurse gabimet që bën politika dhe politikanët në vite e paguan gjithë shoqëria dhe ata sot po paguajnë gabimet e politikës së djeshme, të cilët ndryshe flasin kur janë në pushtet, ndryshe flasin kur janë në opozitë”, tha ai.

Ruçi e konsideroi VKM e qeverisë Berisha për moslegalizimin në zona ku ndërtohen vepra publike, si të drejtë dhe në përputhje me ligjin.

“Ndërsa ndiqja dje debatet për këtë çështje, një gazetar nxirrte dy VKM të qeverisë para 2013 e cila thoshte absolutisht atë që duhej thënë, atë që thotë sot Kryeministri, se legalizime atje ku do ndërtohen vepra publike nuk bëhen, me firmë dhe me vulë të zotit Berisha, dhe absolutisht ka zbatuar ligjin”, – tha Ruçi

Më tej ai shtron se kjo marre 28-vjeçare duhet të marrë fund me këtë legalizimin e fundit, duke apeluar për maturi në zgjidhjen e problemit theksoi se nuk mund të zgjidhet problemi në rrugë joinstitucionale.

“E dyta, asgjë nuk zgjidhet në rrugë jashtë institucioneve dhe jashtë ligjit dhe jashtë shteti të së drejtës dhe shtetit juridik, zgjidhet në bashkëpunim me institucionet dhe siç i kanë thënë institucionet e shteti shqiptar se do t’i shkojnë një për një të gjitha objektet, si ato që janë legalizuar, si ato që nuk janë legalizuar. Ata që janë legalizuar do të marrin një për një dëmshpërblimin, sapo të dalë vendimi i qeverisë. Ato që nuk janë legalizuar, aq hapësira sa krijon ligji do iu gjendet shteti nëpërmjet qiradhënies dhe nëpërmjet trajtimit me banesa sociale apo me kredi të buta, këtë lejon ligji dhe askush nuk mund të shkelë ligjin”, – tha ai.

Po ashtu Ruçi u bëri sërish apel qytetarëve, duke u shprehur se të mos shpërdorojnë hallin e tyre me hallin që ka politika për t’i përdorur mish për top, deri në përdorimin e dhunës, ku një vajzë e re humb gishtat e dorës, se ata u përdorën nga politika.

Ruçi bëri thirrje për respektim të ligjit, në fillim ta respektojnë pushtetarët dhe pa diskutim që aty janë interesat e qytetarëve.

“Nëse dikush gjykon se zgjidhja nuk është e drejtë sigurisht që ka gjykata dhe me qetësinë më të madhe do kërkoja qetësi maturi për ta zgjidhur problemin dhe jo ndërlikuar atë”, tha ai.

Duke folur për reformën e pronësisë, Ruçi theksoi se pas 28 vitesh, me reformën e pronësisë do bëjmë të mundur të pajisim qytetarët me certifikatë pronësie.

“Tërë kohën kemi folur për inputet e bujqësisë, por pas një negociimi të vazhdueshëm me deputetë, dje parlamenti hoqi inputet e bujqësisë. Kemi 28 vjet që kemi tokën dhe me letra nuk e kemi. Falë kësaj reforme, ashtu siç u bë realitet legalizimi i ndërtimeve pa leje, me këtë reformë që bënë qeveria do bëhet realitet dhe çështja e pronësisë e certifikatës tokës”, – tha Ruçi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.