Rruga Cërrik-Belsh-Kuçovë-Ura Vajgurore, frymëmarrje të re bujqësisë dhe agroturizmit

TIRANE, 23 nëntor/ATSH/- Aksi rrugor Cërrik-Belsh-Kuçovë-Ura Vajgurore që lidh Beratin me Elbasanin ka përfunduar duke krijuar mundësi të reja për bujqësinë, agroturizmin dhe biznesin privat.

“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje të rrugës së re panoramike Cërrik-Belsh-Kuçovë-Ura Vajgurore që i ka dhënë frymëmarrje të re bujqësisë, agroturizmit dhe ekonomisë së banorëve të gjithë kësaj zone të bukur duke e lidhur shumë më shpejt me Tiranën e Beratin, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri Edi Rama, ndërsa publikon edhe pamje nga ky aks i cili shkurton distancën e udhëtimit Elbasan-Berat me rreth 1 orë.

Rikonstruksioni i këtij aksi nga një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 892 milionë lekë dhe i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, shkurton në 2 orë kohën e udhëtimit drejt Tiranës.

Përfitues të drejtpërdrejtë të këtij projekti janë rreth 200 mijë banorë. Me ndërtimin e kësaj rruge krijohet hapësirë të re ekonomike mes fshatrave të Dumresë dhe Kuçovës në drejtim të Beratit dhe Tiranës. Rruga garanton dhe një lehtësim shumë të ndjeshëm për të gjithë fermerët e zonës dhe për qarkullimin e gjithë prodhimeve që ka qenë një problem shumë i madh në atë zonë, pasi rruga ishte një shteg i pakalueshëm. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.