Rama: PS, forcë e madhe që influencon zhvillimin e vendit

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/927952467416055/

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ – “Partia Socialiste është një forcë e madhe që influencon zhvillimin e vendit, sepse ka fuqinë e njerëzve që janë bërë bashkë”.

Kështu deklaroi sot në Tiranë, Kryeministri Edi Rama në vijim të fushatës për anëtarësimet e reja në radhët e PS-së.

“Është vërtet surprizë e bukur të shikosh gjithë këta njerëz që shprehin dëshirën për të qenë pjesë e familjes tonë politike, ndërkohë që kudo rreth e rrotull, dëgjohet e kundërta e kësaj që ne kërkojmë të bëjmë, e përfshirjes së njerëzve në politikë, duke përsëritur që ç’më duhet politika”, – nënvizoi Rama.

Në fakt, vijoi ai, është një naivitet, sepse politika merret me ty, merresh s’merresh ti me politikën, kontekstin në të cilin ti jeton, është një kontekst ku politika ka rolin kryesor në aspektet pozitive, por edhe në aspektet negative që lidhen me çfarë kemi trashëguar, çfarë mund të bëjmë dhe në çfarë rruge mund të kalojmë.

“Politika ka lindur që njerëzit së bashku të bëjnë gjëra që vetëm nuk i bëjnë dot. Politika ka bërë shumë dëme, por ka bërë edhe shumë mrekullira, pa politikën ne nuk do të ishim sot këta që jemi, si njerëz, si shoqëri, nuk flas për Shqipërinë, por për botën”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “pa politikën s’do të kishte lindur SHBA, BE, demokracia, e drejta e grave për të votuar, e shumë, e shumë gjëra që i ka bërë politika, i kanë bërë njerëzit që janë bashkuar, kanë transformuar jetën e tyre dhe të njerëzve që do vijnë.
Sidoqoftë, siç ka njerëz të mirë dhe më pak të mirë, ka sisteme më të mira e më të këqija, e kështu me radhë”.

Ai tha se “pjesa më e madhe e jona e bën politikën për pasion, jo për punë, sepse mua personalisht mua kjo më bën të ndihem i dobishëm”. /k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.