Italia mbështetje të palëkundur Shqipërisë në rrugën drejt BE

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ – Italia jep mbështetje të palëkundur për proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda pati një takim kortezie me ambasadorin e Italisë në Zagreb, Adriano Chiodi Cianfarani

Poda, pasi falënderoi homologun Italian në Zagreb për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka ofruar rrugëtimit europian të Shqipërisë si në planin bilateral ashtu edhe në atë multilateral, i shprehu atij besimin në fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Më tej Poda, e njohu kolegun Cianfarani me reformën në sistemin e drejtësisë, çka është shumë e nevojshme jo vetëm për të përmbushur aspiratën e Shqipërisë për në BE, por edhe për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për investitorët dhe zhvillimin e turizmit.

Aktualisht, vijoi Poda, ka nisur procesi “screening” dhe para nesh shtrohet rruga e përmbushjes së disa detyrave konkrete, deri në momentin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

Ambasadori i Italisë në Zagreb, Adriano Chiodi Cianfarani pasi i përcolli ambasadorit Poda urimet me rastin e marrjes së detyrës së re, shprehu vlerësimin e tij për stadin e tanishëm të marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë, duke theksuar mbështetjen e palëkundur të Italisë në proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë bisedës, të dy ambasadoret, ndanë mendimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit mes ambasadave të Shqipërisë dhe Italisë në Zagreb.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.