300 mijë pasagjerë më shumë zgjodhën aeroportin “Nënë Tereza”

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ – Gjatë 10 muajve të parë të vitit 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, kanë fluturuar nga aeroporti “Nënë Tereza” rreth 300 mijë pasagjerë më shumë. Shifra del nga të dhënat e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që publikoi shifrat e pasagjerëve që kanë udhëtuar nga aeroporti “Nënë Tereza” duke krahasuar vitin 2017 me vitin 2018.

Gjatë vitit 2017, për 10-mujorin e parë kanë udhëtuar 2.224.833 pasagjerë. Ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2018, kanë udhëtuar 2.518.245 pasagjerë.

Ndërkohë nga portet e Shqipërisë kanë qarkulluar 1.380.250 pasagjerë për dhjetëmujorin e parë të vitit 2017. Ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2018, nga portet e vendit kanë udhëtuar plot 1.397.745 pasagjerë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi edhe numrin e kontenierëve të përpunuar në portet e vendit. Ministria bën me dije se gjatë 10-mujorit të parë të 2017, janë përpunuar në portet e vendit 97.059 kontenierë. Ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2018, janë përpunuar plot 112.074 kontenierë. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.