Taksapaguesit nuk mund të paguajnë për 100 zaptues tek Unaza e Re

TIRANË, 22 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Ne nuk mund të vijojmë me projektin ‘100 fshatrat’, sepse kemi 100 zaptues tek Unaza e Re që duan të kenë fshatin e tyre pikërisht te Unaza e Re, me ligjet e tyre dhe për qendër fshati kanë zgjedhur rrethrrotullimin e Shqiponjës”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama duke ironizuar protestën e një grupi qytetarësh kundër ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës, si dhe kërkesën e tyre për dëmshpërblim në masën 100%, edhe pse kanë ndërtuar pa leje në pronë publike.

“Me flamurin amerikan, ata kanë zbuluar Amerikën te shtrati i Unazës së Re dhe tani do të mbrojnë Amerikën nga ‘indianët’, që jemi ne të tjerët. Janë këta, ‘amerikanët’ e Unazës së Re që do të transformojnë Shqipërinë nga një vend indianësh, në Amerikë”, – tha Rama.

Sipas tij, “edhe pse kanë zaptuar pronat publike, ata duan dëmshpërblim 100%”. “Duhet të punojnë ‘indianët’, që janë mësuesit, mjekët, ushtarakët, diplomatët, etj që do të paguajnë taksa që ‘amerikanët’ e Unazës së Re të mbajnë lart flamurin dhe duke zbatuar Kushtetutën e SHBA-së, të mbajnë pushkë në çdo shtëpi”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.