Shqipëri-Gjermani, nënshkruhet Protokolli i bisedimeve mbi Bashkëpunimin për Zhvillim

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ – U finalizuan sot bisedimet mbi Bashkëpunimin për Zhvillim mes Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga ministri Arben Ahmetaj dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, kryesuar nga Dirk Schattschneider.

Protokolli përmbledh angazhime financimi të qeverisë gjermane në formën e bashkëpunimit financiar (hua dhe grante nga KfW) si dhe bashkëpunimi teknik (GIZ) në një total prej rreth 168.4 milionë euro, ku 147.9 milionë euro janë bashkëpunim financiar ndërsa 20.5 milionë euro për bashkëpunim teknik, të alokuara në fushat e energjisë, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe furnizimit me ujë/ kanalizime/ mbetje të ngurta.

Në mbyllje të bisedimeve, palët nënshkruan Protokollin e Bisedimeve mbi Bashkëpunimin për Zhvillim.

Në deklaratën për shtyp pas përfundimit të negociatave, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj theksoi faktin se ky vit shënon 30-vjetorin e partneritetit dhe bashkëpunimit të suksesshëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë në këto 30 vite, me më shumë se një miliard euro, si në mënyrë direkte, ashtu edhe indirekte.

“Përkushtimi i qeverisë së Republikës Federale Gjermane me shumën e ngazhuar prej 168.4 milionë euro do të jetë thelbësor në thellimin e procesit të transformimit social dhe institucional shqiptar, drejt arritjes së synimit tonë përfundimtar dhe aspiratën e anëtarësimit në BE”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Sussane Schütz shprehu kënaqësinë e saj që bisedimet qeveritare për bashkëpunimin në dy vitet e ardhshme mes Shqipërisë dhe Gjermanisë u përmbyllën me sukses.

Ajo theksoi se “shifrat rekord janë provë e rëndësisë së madhe që Qeveria Federale i kushton mbështetjes së Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Në 30 vitet e fundit ne kemi qëndruar vazhdimisht në krah të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të mbetemi një partner i besueshëm i saj. Gjermania vë në dispozicion jo vetëm fonde financiare të shumta dhe ekspertizë profesionale, por ne jemi gjithashtu edhe një konsulent kritik. Kështu ne e inkurajojmë Shqipërinë të vijojë në mënyrë konsekuente rrugën e nisur të reformave, veçanërisht atë në sektorin e drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në pritje të vendimmarrjes së BE-së pranverën e vitit të ardhshëm lidhur me çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duhet thënë se nuk ka kohë për të humbur”.

Nga ana e tij, kreu i delegacionit të qeverisë federale Gjermane tha se ky vit jubilar i 30-vjetorit të bashkëpunimit shqiptaro-gjerman për zhvillim ka shënuar një shifër rekord të premtimeve financiare prej gati 170 milionë euro, duke shtuar gjithashtu se krahas kësaj KFW lëvron për Ministrinë e Financave në Shqipëri një kredi në vlerën e 100 milionë euro përmes të cilave do të reformohet rrënjësisht sektori i energjisë, sikurse dhe do të përmirësohet furnizimi me ujë i mbarë popullsisë.

“Ne dëshirojmë të mbështesim Shqipërinë në plotësimin e kërkesave të Bashkimit Europian përsa i përket luftës kundër krimeve të rënda, mbajtjes pastër të plazheve dhe shmangies së përmbytjeve. Qëllimi ynë është i përbashkët është që nga njëra anë të përmirësojmë kushtet e jetesës së njerëzve, p.sh me projekte të tilla si me furnizimin me energji dhe ujë, dhe nga ana tjetër të zhvillojmë institucionet shqiptare duke i bërë ato të afta për Bashkimin Europian”, tha ai. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.