Rritje page me 7% për edukatorët dhe mësuesit, për të dytin vit radhazi

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ – Buxheti i Ministrisë së Arsimit për të dytin vit radhazi parashikon rritjen e pagave për mësuesit dhe edukatorët e kopshteve në vlerën e 7%.

Kështu deklaroi ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla gjatë fjalës së mbajtur në Parlament, ndërsa tha se për vitin e ardhshëm parashikohen më shumë para për Arsimin.

Buxheti i Ministrisë së Arsimit është 39 miliardë e 167 milionë lekë. Janë 1 miliard e 113 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Prindërit shqiptarë duhet të dinë se nëse i shtojmë këtij buxheti, buxhetin që i adresohet për fondin e rritjes së pagave të mësuesve që sot është tek fondi i Ministrisë së Financave, po ashtu buxhetin që i adresohet arsimit profesional, buxhetin që i adresohet për arsimit parashkollor në pushtetin vendor, në total kap shifrën e 58 miliardë e 128 milionë lekëve ose 4 miliardë e 850 milionë lekë më shumë se një vit më parë”, – tha Nikolla.

Ajo theksoi se për 2019-ën “buxheti mundëson për herë të dytë rritjen e pagave të totalit të mësuesve përfshirë edhe edukatorët e arsimit parashkollor në një vlerë prej 7%”.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.