Porti i Durrësit, projekt për përmirësimin e logjistikës në lundrim dhe transport

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ – Porti i Durrësit dhe Instituti i Transportit në Shqipëri janë partnerët shqiptarë që së bashku me gjashtë qytete-porte të Europës, si dhe me partnerë të tjerë, kanë bashkuar forcat për të përmirësuar logjistikën në lidhje me lundrimin dhe planifikimin e transportit.

Përfaqësuesit e Autoritetit Portual organizuan sot në Sallën e këshillit bashkiak të Durrësit takimin e radhës në kuadër të Projektit LOCATIONS: ”Low Carbon Transport in Cruise Destination Cities”.

Turizmi me kroçera është një sektor i ri në Shqipëri. Portet më të zhvilluara për kroçerat ose anijet turistike janë Durrësi, Vlora dhe Saranda.

Sipas të dhënave nga Sektori i Projekteve në APD, Porti i Durrësit përfaqëson portën kryesore për hyrje-daljen nga Shqipëria, dhe ngarkesa e trafikut të tij krijohet kryesisht nga vendet Mesdhetare. Projekti Locations po punon për krijimin e një metodologjie të dedikuar zhvillimi dhe testimi për t’iu përgjigjur nevojave individuale të identifikuara në qytetet-porte e përfshira.

Synohet të përcaktohen paketa masash që do të kontribuojnë në vizibilitetin e trafikut në zonat urbane dhe reduktimin e ndotjes në mjedis, paketa të projektuara për tu transferuar lehtë në qytetet porte të tjera të zonës së Mesdheut-nënvizon Sektori i Projekteve.

Fushata specifike sensibilizuese janë parashikuar, për të inkurajuar përfshirjen e udhëtarëve dhe qytetarëve për të marrë përgjegjësi dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytete.

Gjatë Takimit u shfaqën dokumentare dhe materiale të përgatitura nga sektori i Projekteve në APD.

Projekti LOCATIONS, financuar përmes Fondit Europian të Zhvillimit Rajonal, është koordinuar nga AREA Science Park of Trieste dhe zhvilluar në Rajonin e Friuli-t në Venezia në bashkëpunim me Autoritetin Portual Trieste si dhe me mbështetjen e qytetit të Triestes dhe Autoritetit Rajonal Friuli Venezia Giulia.

Partneriteti numëron mbi 20 organizata dhe institucione nga Italia, Kroacia, Spanja, Portugalia, dhe Shqipëria. Instituti i Transportit dhe Autoriteti Portual Durrës janë dy partnerët shqiptarë të projektit dhe me mbështetjen e bashkisë Durrës, si partner mbështetës i projektit.

Shtatë qytetet-porte europiane të përfshira janë: Lisbona, Malaga, Zadari, Rijeka, Ravena, Durrësi dhe Trieste. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.