Pas 23 vitesh, nga 1 janari zero TVSH për inputet bujqësore

TIRANË,22 nëntor /ATSH- I. Vata/ – “Për herë të parë pas 23 vitesh, nga 1 janari Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) do të jetë zero për inputet bujqësore”, – deklaroi nga Kuvendi, deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, duke theksuar se me këtë buxhet, qytetarët do të paguajnë më pak taksa.

“Është e vërtetë se ligjet fiskale që ne do të miratojmë sot në parim dhe në datën 3 dhjetor nen për nen, do të detyrojnë qytetarët të paguajnë më pak taksa dhe natyrisht për shkak të shumave të planifikuara në buxhetin e shtetit, pa diskutim që evazorët fiskalë do të paguajnë më shumë sesa paguajnë sot detyrime fiskale, tatimore dhe doganore. Më troç, kemi vendosur të tatojmë punën më pak, e ta çlirojmë punën nga taksat. Ku? Në bujqësi dhe në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, – u shpreh Braçe.

Më tej, Braçe theksoi se “pika e parë dhe themelore e saj që do të bëjmë nga 1 janar, lidhet me TVSH zero për të gjitha inputet bujqësore, për të gjitha plehrat kimike, farërat, fidanët, deri te gjithë materialet që përdoren për blegtorinë. Që nga vitin 1995, kur TVSH-ja, hyri si funksionim, çdo parti politike ka premtuar për fshatin vetëm këtë pikë: TVSH zero për inputet bujqësore dhe nuk e kanë bërë asnjëherë. Për herë të parë, ne ia dalim pas 23 vitesh të votojmë në sallën e Kuvendit, TVSH zero për inputet bujqësore”, – përfundoi Braçe. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.