Paketa fiskale më agresive në mbështetje të bujqësisë shqiptare

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Maela Marini/ “Viti 2019 do të fillojë me paketën fiskale më agresive që bujqësia shqiptare ka pasur në historinë e vet, me 0% TVSH për inputet bujqësore”.

Gjatë fjalës në Kuvend për buxhetin 2019, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi u ndal te incentivat kryesore financiare që shkojnë në mbështetje të fermerëve.

Buxheti 2019, sipas tij, “mbështet bujqësinë shqiptare në dy korsitë kryesore të zhvillimit të saj, siç është korsia e shpejtë që mbështet atë pjesë të fermerëve që sot kanë arritur të kapërcejnë kufirin e vendit duke eksportuar dhe korsia tjetër, e fermerëve që prodhojnë për tregun vendas”.

Peleshi tha se, “viti 2019 mbështet me 70% grante investimet në serra nga vlera 10 mijë euro deri në 500 mijë euro”. “Po ashtu mbështet investimet për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale nga 25 mijë euro deri në 2 milionë euro me 50% grante. Buxheti mbështet investimet në diversifikimin e ekonomisë shqiptare si agroturizmin, bimët medicinale nga 10 mijë euro deri në 400 mijë euro vlerë investimi, me 65% të totalit të investimit në grant”, – tha Peleshi.

Duke nënvizuar rëndësinë e zerimit të TVSH-së për inputet bujqësore, Peleshi tha se “nga ky vendim lehtësohet kostoja e produktit bujqësor me 10-20%, duke e bërë atë gjithnjë e më konkurrues në treg.

“Vendet përreth kanë TVSH të diferencuar, dhe asnjë nga vendet përreth nuk e ka 0% TVSH-në për inputet bujqësore. Kjo do të thotë se produktet bujqësore shqiptare do të hyjnë në tregun e konkurrencës me një avantazh shumë të fortë për shkak të heqjes së TVSH-së”, – tha Peleshi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.