Foto/ Parku i Liqenit, destinacion edhe në ditë të ftohta

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ – Për të apasionuarit pas natyrës, Parku i Liqenit mbetet destinacioni i duhur edhe në ditë të ftohta të dimrit.

“Momenti fiks për joga, për të apasionuarit pas natyrës, aty ku gjejnë paqen e mendjes dhe shpirtit”, – thotë kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj. Parku i Liqenit mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara edhe përgjatë fundjavës, veçanërisht nga fëmijët të cilët eksplorojnë mundësi pafund për argëtimin  e tyre.

Shëtitje në natyrë, lojëra në këndin e fëmijëve, hapësirë për të lexuar, lojërat për të rritur në fushat shumësportëshe, dhe shumë mundësi të tjera për tu kënaqur gjenden pikërisht këtu. Liqeni ofron peizazhe tejet tërheqëse. Në të gjitha orët e ditës do të gjeni plot njerëz që zgjedhin pikërisht këtë hapësirë për të vrapuar apo ecur pranë liqenit artificial që u ndërtua me aksion popullor në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar.

Gjithashtu, parku mban brenda lëndinave dhe shpateve të buta kodrinore, një pjesë së historisë së Tiranës. Prindërit mund t’u tregojnë fëmijëve e adoleshentëve të rinj copëza historie nga memorialet ngritur në këtë park, kushtuar njerëzve të mëdhenj të letrave shqipe, por edhe të të rënëve të huaj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në lëndinat rreth liqenit ngrihet skeleti i transformuar nga diktatura i Kishës së Shën Prokopit dhe jo shumë larg saj shtrihet sipërfaqja ujore e Liqenit. Pak më tutje presin destinacione të tjera argëtimi. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.