Elbasan/ Bashkia miraton paketën fiskale 2019

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ – Këshilli bashkiak i Elbasanit miratoi paketën fiskale për vitin 2019 me 27 vota pro dhe 11 kundër. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në këtë bashki, kanë kundërshtuar miratimin e paketës fiskale për shkak të taksës së pronës, të cilën e shikojnë si të padrejtë edhe pse kjo bashki ka aplikuar tarifat minimale të saj.

Është cilësuar vendim politik, nga shumica, vendimi i opozitës për të mos votuar paketën fiskale, në një kohë që sipas shumicës, taksat dhe tarifat nuk ndryshojnë prej më shumë se 12 vitesh dhe janë votuar historikisht në unanimitet.
Kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, shtoi se tarifat vendore janë të vendosur tashmë prej 12 vitesh kur PD ishte në pushtet.
Bashkia e Elbasanit aktualisht aplikon taksat dhe tarifat vendore më të ulëta në të gjithë vendin, madje tarifat familjare janë nën normën e përcaktuar. Niveli i taksave për vitin 2019 do të mbetet pothuajse i njëjtë me një vit më parë. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.