Buxheti 2019, rrit investimet dhe ul taksat

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ – Buxheti i vitit 2019 pritet që të ketë një impakt të lartë në një sërë fushash në vendin tonë, duke e bërë këtë një nga buxhetet më ambiciozë të viteve të fundit, i cili do të rrisë investimet duke ulur taksat për banorët dhe bizneset.

Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë u ndal te veçoritë e buxhetit 2019, si dhe të mirat që ky i fundit do të sjellë për banorët në të gjithë vendin.

“Buxheti i vitit 2019 do të mbështesë shumë investime vitin që vjen, jo vetëm për zonat lokale, por edhe kombëtare. Buxheti do të sjellë vijimin e reformave të mëdha, rritje ekonomike të qëndrueshme, rritje pagash dhe pensionesh në kushtet kur ulet borxhi, sjell investime madhore, mbështetje sociale për grupet vulnerabël dhe në mënyrë të veçantë për ato grupe që kanë më shumë se kushdo nevojë, siç janë paraplegjikët, fëmijët e sëmurë, edhe për ata të cilët nuk kanë mundësi tjetër veçse të shikojnë nga shteti social, nga ai shtet që ne përfaqësojmë si të majtë që jemi. Buxheti 2019 sjell ulje taksash për kategorinë e qytetarëve dhe në veçanti për të gjitha bizneset, prandaj le ta votojmë masivisht të gjithë së bashku dhe të vijojmë punën, edhe pse kemi mungesën e opozitës, e cila fatkeqësisht bëhet bashkë me ata që qëllojnë policinë në krye të detyrës. Mbështesim Policinë dhe solidarizohemi me ata që sot u plagosën”, – theksoi deputeti Hyseni./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.