BM – Gjibraltari: Madridi po përdor “kamxhikun” në vend të dialogut

GJIBRALTAR, 22 nëntor /ATSH-AFP/ – Shefi i ekzekutivit të Gjibraltarit akuzoi sot Spanjën se ka marrë “kamxhik” për të rregulluar çështjen e së ardhmes së enklavës britanike duke kërcënuar për bllokimin e marrëveshjes së Brexit.

“Ekonomia e katërt europiane nuk ka nevojë për një kamxhik për të bërë që ekonomia më e vogël e Europës të ulet bashkë me atë në tavolinë”, deklaroi Fabian Picardo para parlamentit të Gjibraltarit.

“Askush nuk ka nevojë për një veto për të na ulur në një tavolinë”, tha ai.

“Porta jonë hyrëse në Europë është Spanja (…) Ne kemi më shumë arsye që të bashkëpunojmë dhe diskutojmë me Spanjën nga sa kemi de facto me kombet e tjera (europiane), pra ne duam të vazhdojmë në diskutimet drejtpërdrejtë me Spanjën në lidhje me të ardhmen”, shtoi Picardo.

Por Madridi insiston për të negociuar drejtpërdrejtë me Londrën gjithçka që ka lidhje me Gjibraltarin, enklave britanike që ndodhet në jug të Spanjës dhe që Madridi pretendon sovranitetin prej shumë vitesh. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.