40% rritje pagash për arsimtarët dhe mjekët

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ – Brenda mandatit qeverisës, mazhoranca ka premtuar rritjen e pagave me 40% për arsimtarët dhe mjekët.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj në fjalën e mbajtur në Parlament tha se në vetëm dy vite pagat për këto dy kategori janë rritur me 20%. “Po rrisim pagat, po rrisim dhe pensionet. E imagjinoni që riskonin në 2013 që t’i ulnim pagat, t’i ulnim pensionet dhe nuk e bëmë. Dhe sot ata që rrezikuan Shqipërinë në një grehinë piramidale të dytë vijnë dhe flasin por për 2 vjet pagat e arsimtarëve janë rritur me 20% gati dhe Kryeministri, mazhoranca ka premtuar rritje me 40% deri në fund të mandatit. Po, e kemi në planin afatmesëm të rrisim pagat e mjekeve dhe arsimit të vazhdojnë të rriten në vazhdimësi për të kapur 40%, atë që kemi thënë për arsimtarë”, – tha ministri.

Më tej, ai u shpreh se shifrat tregojnë se aktualisht vendi ka nivelin më të ulët të papunësisë në rajon.

“Jemi larg asaj që presim por jemi vendi me papunësinë më të ulët në rajon. Në krahasim me rajonin vendi me papunësinë më të ulët. Shifra 234 mijë në mandatin e parë të kësaj qeverie janë shpresë për ata të regjistruar të papunë, që të shohim rritje drastike të pagës mesatare. Sfida është të fillojë të rritet cilësia e pagës”, – përfundoi Ahmetaj.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.