40 legalizimet në Unazën e Re, dosja në Prokurori

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/- “Për 40 banorët që janë legalizuar në korrik-shtator të 2013 sigurisht që do të bëjmë shpronësimin, por do të çojmë në Prokurori dosjen kush ua ka bërë ato legalizime”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës në diskutimin e buxhetit 2019.

“Në raport me banorët janë tre qasje të ndryshme, me këta të kategorisë të zaptuesve profesionistë as nuk bëhet fjalë për dëmshpërblim 100%, por asnjë lloj tolerance zero dhe ata bëjnë mirë të dalin, të largohen vetë dhe të mos dalin të zënë rrugën , shkoni dhe gëzoni ato që keni ndërtuar, mos rrini aty”, – theksoi Rama.

Për ata banorë që janë vetëm me shtëpi, por që janë të paligjshëm, Rama tha se “nuk mund të bëjmë dëmshpërblime, por mund të japim bonusin e qirasë për tre vjet”.

“Bonusin do e paguajnë mjekët, infermierët, ushtarakët, diplomatët, punonjësit e policisë të gjitha ata që kontribuojnë në Republikën e Shqipërisë, tre vjet nuk do ta paguajmë më shumë”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se “janë gjeneralë të NATO-s, komisarë e drejtues policie e nuk kanë shtëpi janë mjekë, infermierë e kështu me radhë që nuk kanë shtëpi dhe që meritojnë shumë më tepër se çfarë kanë”.

“Përse duhet të paguajnë ata se ju keni zënë rrugën? Ndërkohë që mos të bëjmë krahasimin që kush ka ndërtuar një shtëpi për të futur kokën ka qenë dhe është i mirëseardhur aty ku nuk cënon interesin publik, ku nuk zë rrugën e zhvillimit, nuk zë rrugën e fëmijëve të vet dhe fëmijëve tanë, se janë të gjithë fëmijët e këtij vendi, të kësaj Republike që meritojnë një të ardhme më të mirë”, – tha Rama./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.