10% rritje në infrastrukturën rrugore, financim gjithë projekteve

TIRANË, 22 nëntor /ATSH-A.ALLA/ – ”Infrastruktura mbetet një nga themelet e zhvillimit ekonomik dhe një domosdoshmëri për zinxhirin ekonomik të së ardhmes në Shqipëri. Mbështetja është e dukshme për rrjetin infrastrukturor rrugor ku kemi një rritje prej 10% krahasuar me vitin e kaluar, që bën të mundur financimin e gjithë projekteve të hapura përfshirë dhe kontratat me partneritet publik privat”, – u shpreh ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë fjalës në kuvend për diskutimin e buxhetit 2019.

Ai tha se, ”gjithashtu mbështetje ka për infrastrukturën hekurudhore ku për herë të parë do bëhen investime të reja në hekurudhë pas 30 vjetësh ku përfshihet ndërtimi i hekurudhës së re Tiranë-Durrës me devijim Aeroportin e Rinasit. Kjo do jetë një vepër e rëndësishme infrastrukturore e cila do realizohet këtë mandat. Ka mbështetje dhe për sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve qoftë nga fondet e brendshme dhe ato të huaja. Tendenca e qeverisë është e saktë, do investohet në ato zona ku ka prioritet të zhvillimit ekonomik, ku ka nevoja më të mëdha kryesisht të lidhura me turizmin”.

”Buxheti mundëson përfundimin në kohë të gjithë veprave të mëdha të nisura qoftë ato të infrastrukturës rrugore, rrugët e reja të hapura dhe partneritetit publik privat. Partneriteti Publik-Privat është instrument i qeverisë për të marrë infrastrukturën në kohë që do të thotë për rrugë kemi nevojë tani jo mbas 20 vitesh. Një vend që pret të rritet ekonomikisht dhe të zhvillojë turizmin patjetër duhet të fokusohet te infrastruktura kombëtare tani” , – u shpreh Gjiknuri.

Ai shtoi se, ”për infrastrukturën e rrugëve ka gati 20 miliardë lekë çdo vit që do të thotë se në 13 vitet e ardhshme angazhimi do jetë i barabartë me një rang prej 2.5 miliardë dollarë. Kjo do të thotë që ky buxhet është i garantuar dhe nëse Shqipëria do të mbajë këtë prudencë nga ana fiskale dhe ekonomike patjetër që të gjitha këto rrugë janë të financueshme dhe s’ka asnjë rrezik. Investimet e rrugëve janë të matshme, që do të thotë që anash tyre ka një çmim, që është çmimi i referencës që bazohet buxheti i shtetit ku parashikohen investimet publike”.

”Tek rrugët me Partneritet Publik-Privat kemi bërë një gjë, do marrim kompani inxhinierike të huaja ndërkombëtare pasi ai është arbitri i vetëm që përcakton se a është rruga brenda parametrave, sa asfalt është hedhur dhe cilësinë e punimeve, të cilat gjithmonë kanë një faturë mbrapa. Për rrugën e ”Arbrit” e kemi filluar me një kompani gjermane, shumë shpejt do përzgjedhim inxhinierin e pavarur edhe për rrugët e tjera që janë hapur me PPP, ku gjithmonë kushti është kompani e njohur ndërkombëtare”, – u shpreh Gjiknuri.

”Duhet një kompani me reputacion që i del zot projektit dhe ne këtë po bëjmë në mënyrë që të gjitha pretendimet që ngrihen për kostot e rrugëve të certifikohen në çdo kohë. Kontratat me institucionet e huaja dhe ka disa rrugë të hapura të cilat janë hapur nga e para si rruga e Elbasanit dhe rruga ”Qafë-Plloçë-Qukës” janë të gjitha rrugë, ku të gjitha risqet i merr shteti dhe kontraktori është ai që gjithmonë ka të drejtë”, – përfundoi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.