“Unaza e Madhe”, vlerësimi i banesave nga grupe të posaçme inxhinierësh

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ – Me një urdhër të veçantë nga ARRSH është ngritur grupi i punës me inxhinierë dhe specialistë që do të bëjnë vlerësimet e banesave që preken nga projekti i “Unazës së Re”.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro ka sqaruar në një konferencë për mediat lidhur me procesin që do të kryhet, ku do të bëhen publike emrat e inxhinierëve dhe vlerat e banesave.

“Dua të bëj disa sqarime të tjera. Ne do të fillomë procesin fundor të vlerësimit të banesave. Pranë ARRSH janë ngritur grupe të posaçme vetëm për të këtë segment, 25% e tyre inxhinierë me urdhër të veçantë do të veprojnë në lote. Këto grupe do të shkojnë në çdo banesë të cilat kanë vërtetim pronësie për të bërë vlerësimin sipas ligjit të godinës në një kohë sa më të shpejtë për t’u përgatitur dosja”, – tha Qendro.

Më tej, ai tha se gjithçka do të bëhet publike, për të qenë sa më transparentë.

“Inxhinierët që do merren me këto vlerësime unë do t’i bëj publik në media”, tha Qendro duke shtuar se edhe pasuritë do të jenë të deklaruara në media, për të ditur çdo banor për inxhinierët dhe specialistët që do merren me këtë. Për objektet që janë në legalizim, do të vijnë tek bashkia e Tiranës dhe do të takohen të gjithë dhe të fillojë përgatitja për vlerësimin nga bashkia siç është bërë edhe më parë. “Do të ketë vlerësim me banesa sociale, nga ana tjetër edhe me kredi të buta”, – përfundoi Qendro.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.