Shqipëri-Greqi, bashkëpunim për mjedisin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale

Vlorë, 21 nëntor/ATSH-Harilla Koçi/- Bashkëpunimi në fushën e mjedisit dhe zhvillimin e ekonomisë lokale në hapësirën ndërkufitare, do të jenë dy sektorët ku do të fokusohet Thirrja e Katërt e projekteve të Programit Ndërkufitar Shqipëri-Greqi(Programi Interreg IPA CBC), me një vlerë të përgjithshme prej rreth 9 milionë euro, financuar nga BE-ja.

Në këtë thirrje janë parashikuar dy prioritete, prej të cilëve, në të parin përfshihet promovimi i mjedisit, transportit të qëndrueshëm dhe infrastrukturës publike, që synon përmirësimin e eficiencës energjetike dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në godinat publike, ndërkohë që prioriteti i dytë është ai që lidhet me resurset, mbrojtjen dhe konservimin e burimeve natyrore dhe kulturore, duke synuar nxitjen dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.

Në prioritetin e parë janë parashikuar për këtë thirrje 5 milionë euro, që do të jenë në dispozicion të projekteve që do të prezantohen. Të pranueshëm për të qenë në statusin apo partnerit, janë institucionet publike, ose institucionet që qeverisen nga një ligj publik, ndërkohë që për prioritetin e dytë, krahas institucioneve publike, lejohen të aplikojnë edhe organizatat e shoqërisë civile, apo institucionet e arsimit të lartë. Por, kjo, me një specifikë: aplikantë të jenë fakultetet dhe departamentet.

Për të gjithë përfituesit, lejohen dy aplikime, në statusin e partnerit dhe të “lead partner”.

Objektivat e këtij programi, për të cilin afati i aplikimit është fundi i muajit janar të vitit të ardhshëm, synojnë nxitjen e mëtejshme të eficencës energjetike dhe burimeve të rinovueshme të energjisë, duke i mbështetur institucionet publike në të dy zonat kufitare për të forcuar bashkëpunimin, për të hartuar politika të përbashkëta por edhe për të ndërmarrë nisma konkrete, duke përfshirë edhe aspekte të kërkimit shkencor për rritjen e eficiencës energjetike.

Nga ana tjetër, duke përfshirë brenda këtij komponenti edhe aktivitete që lidhen me sensibilizimin e komunitetit për të kursyer energji dhe për të përdorur njëkohësisht lloje të energjisë së rinovueshme në mjediset e banimit dhe ato të biznesit.

Ndërkohë, për sa i përket komponentit të kulturës dhe mjedisit, aktivitetet do të fokusohen në rikonstruksionin apo restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, të cilat përbëjnë një vlerë të shtuar por në të njëjtën kohë edhe në aktivitete të kombinuara me teknologjinë e komunikimit dhe të informacionit, që krijojnë vizibilitet dhe shtojnë njëkohësisht edhe mundësinë për t’i përfshirë ato në paketat turistike, duke nxitur zhvillimin e një produkti të ri turistik.

Këto u theksuan në një takim të zhvilluar në qytetin e Vlorës, ku merrnin pjesë përfaqësues nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Autoriteti Menaxhues i Programit në Greqi, Sekretariati i Përgjithshëm i Programit në qytetin e Selanikut(Greqi), me stafet respektive, si edhe përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile që ushtrojnë aktivitetin në Qarkun e Vlorës.

Manjola Hidri, përfaqësuese e Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme, Megi Gjoni, menaxhere e Programit, vlerësuan prioritetet e kësaj thirrjeje në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, ndërkohë që u kërkuan aktorëve lokalë të bëhen pjesë e këtij program me një spektër të gjerë.

Vasilis Charitantis, përfaqësues i Autoritetit Menaxhues, George Papadopoulos, nga Sekretariati i Përgjithshëm i Programit, si edhe stafet respektive, qartësuan për të pranishmit, detaje të këtij programi. /k.s//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.