Koncesionet, Qeveria vendim për rregullat për ofertat e pakërkuara, bonusin dhe garën

TIRANE, 21 nëntor/ATSH/- Me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi sot për disa ndryshime në ligjin “Për miratimin e Rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”.

Në  mbështetje edhe të ligjit “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar,  qeveria vendosi për miratimin e disa ndryshimeve lidhur me “Rregullat për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”.

Sipas vendimit, nëse propozimi i pakërkuar konsiderohet i pranueshëm, autoriteti kontraktor mund të nisë procedurën për dhënien e kontratës nëpërmjet një procesi transparent dhe konkurrues”.

Përsa i përket dhënies së bonusit, në vendim sqarohet se “në rast pranimi të një propozimi të pakërkuar, përpara procedurës konkurruese propozuesi ka të drejtë të përfitojë nga autoriteti kontraktor, i cili vendos për një nga format e mëposhtme të bonusit:  Një bonus për rezultatin tekniko-financiar të propozuar prej tij, deri në një maksimum prej 10% (të 100 pikëve në total) të vlerësimit maksimal të garës, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave si dhe Aplikimin e procedurës me publikim të projektit të tij, me qëllim përfitimin e ofertës më të leverdisshme ekonomike, pa ndryshuar projektin teknik”.

Përsa i përket aplikimit të  procedurës me publikim të projektit, në vendimin e qeverisë sqarohet se “autoriteti kontraktor, pas vendimit për dhënien e kontratës, publikon projektin e propozuesit, me qëllim që të përfitojë ofertën më të leverdisshme ekonomike”.

“Autoriteti kontraktor publikon projektin e propozuesit së bashku me ofertën financiare dhe fton operatorë të tjerë ekonomikë, nëpërmjet një procesi transparent dhe konkurrues të paraqesin propozimet e tyre sipas përcaktimeve në dokumentet e procedurës konkurruese. Oferta më e leverdisshme ekonomike do t’i paraqitet propozuesit me qëllim paraqitjen e një oferte më të leverdisshme ekonomikisht sesa oferta fituese. Nëse propozuesi pranon, atëherë ai shpallet fitues i garës dhe vijohet më tej për negociimin e kontratës”, nënvizohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Po sipas këtij vendimi, nëse propozuesi nuk pranon të paraqesë një ofertë ekonomikisht më të leverdisshme, atëherë ofertuesi fitues do t’i paguajë atij vlerën e hartimit të projektit teknik, e cila do të publikohet në dokumentet e procedurës konkurruese.

Nëse palët dështojnë në negociimin e kontratës, atëherë ofertuesit do t’i mbahet vlera e garancisë së ofertës dhe do të ftohet propozuesi për negociim sipas vlerës fillestare të propozimit të tij”.

Ky vendim nuk zbatohet për propozimet e depozituara pranë Autoritetit Kontraktor, për të cilat është marrë një vendim për leverdisshmërinë e tyre përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.