Komisioni për Çështjet Sociale votoi nen për nen dhe në tërësi buxhetin e vitit 2019”

TIRANE, 21 nëntor/ATSH/- Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në drejtimin e kryetares, Elisa Spiropali, votoi në mbledhjen e sotme nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019”.

Përpara se mbledhja të vijonte me shqyrtimin nen për nen të projektligjit, komisioni zhvilloi dëgjesë me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave lidhur me masën e reflektimit në projektbuxhet të komenteve dhe propozimeve të ardhura në komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë nga Konfederata e sindikatave të Shqipërisë, Shoqata e Invalidëve të Punës, Shoqata e të Verbërve, “Save the Children”, Universiteti i Mjekësisë së Tiranës, AWEN- Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, Fondacioni “Down Sindrome Albania” dhe shoqata “Ndihmoni Jetën”.

Përfaqësuesit e lartë të ministrive, Artan Kraja, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Merita Xhafaj, drejtore e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit në të njëjtën ministri;  Florian Nurçe, përgjegjës në sektorin e Buxhetit në Drejtorinë e Buxhetit dhe menaxhimit Financiar të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe Vilma Causholli, nga Ministria e Financave, i raportuan komisionit lidhur me interesin e tij.

Pas raportimit të përfaqësuesve të institucioneve dhe pyetjeve të deputetëve lidhur me çështjet e paraqitura, komisioni vijoi me votimin, duke e miratuar nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019”, diskutimi në parim i të cilit ishte zhvilluar në seancat paraardhëse. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.