Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK për prokurorin Arben Dollapaj

TIRANË, 21 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Arben Dollapaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit administrativ, të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të mund të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë, me 6 gusht 2018, prokurorin e Prokurorisë së Apelit të Rrethit Shkodër, Arben Dollapaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.