Kategoritë që përjashtohen nga tarifa vjetore e studimit

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/- Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm, ku ka përcaktuar kategoritë e individëve që plotësojnë kriteret e pranimit në programin e ciklit të parë të studimit, programit të integruar të studimeve ose të programit të studimeve profesionale.

Kështu, në vendim thuhet se përjashtimin nga tarifa e përfitojnë studentët e regjistruar në vitin e parë, që përmbushin kriterin e notës mesatare 9 deri në 10, e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë edhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore.

Studentët e regjistruar në vitet pas të parit, që përmbushin kriterin e notës mesatare 9  deri në 10, e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha detyrimeve të parashikuara për programin përkatës të studimit dhe të shlyera për vitet pararendëse.

Studentët përfitojnë përjashtimin nga tarifa vjetore e shkollimit vetëm për periudhën që ndjekin studimet në këto programe studimi dhe për kohëzgjatjen normale të programit të studimit. Ndërkaq, nga tarifa përjashtohen edhe kategori si: studentët nga familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës, ata që gëzojnë statusin e invalidit të punës, statusin e jetimit, statusin e të verbrit, statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist.

Vendimi i miratuar këtë të mërkurë hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.