Kantieri i “Unazës së Madhe”, plani për menaxhimin e trafikut

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ – Në kuadër të projektit për Unazën e Re, ARRSH, bashkia e Tiranës dhe policia rrugore kanë hartuar një plan për menaxhimin e trafikut në këtë zonë ku do të kryhen punime.

Në një deklaratë të përbashkët për mediet, Afrim Qendro, drejtor i ARRSH-së bëri me dije se duke nisur nga muaji janar, aksi duke nisur nga Dogana dhe deri tek shkolla Teknologjike do të jetë me tre korsi. Ai po ashtu bëri me dije se sheshi “Shqiponja” nuk do të jetë më rrethrrotullim, por një gjysmë unaze.

“Ne do të fillojmë me kantierin. Kantieri ka dy faza. Ne kemi ditë që po punojmë me policinë dhe sektorin e transportit në bashkinë e Tiranës. Kemi pasur dhe bashkëpunim me inxhinierët e kompanive. Do ketë tre korsi, në ikje dhe në ardhje duke nisur nga muaji janar. Kantieri do të zhvillohet nga pjesa e Astirit, ku kemi pak ndërtesa që preken. Do funksionojnë të gjithë semaforët. Tek sheshi “Shqiponja” s’do e kemi më rrethrrotullim, por do kemi një gjysmë unazë. Kur vjen nga unaza nuk mund të rrotullohesh në vend, por do shkosh deri tek Casa Italia. Në asnjë moment trafiku për përdoruesit e rrugës dhe qytetarët s’do jetë i bllokuar gjatë kësaj kohe që do bëhet projekti. Do ketë një vështirësi trafiku, dhe për këtë policia ka marrë të gjitha masat”, – tha ndër të tjera Qendro.

Ndërkaq, ai theksoi se nuk do të ketë bllokim trafiku.

PLANI I MENAXHIMIT TË TRAFIKUT PËR FAZËN E PARË TË OBJEKTIT: “REHABILITIMI I SEGMENTIT RRUGOR MBIKALIMI PALLATI ME SHIGJETA RRETHRROTULLIMI SHQIPONJA”:

Drejtimi Shkolla Teknologjike – Sheshit Shqiponja 

  • Qarkullimi i automjeteve në rrethrrotullimin e Shkollës Teknologjike nuk do të ndryshojë
  • Në fazën e parë në të gjithë gjatësinë e segmentit do të punohet në mes të karrexhatës, për rrjedhojë rruga do të ngushtohet me një metër dhe qarkullimi do vazhdojë me 3 korsi.
  • Mbas përfundimit të punimeve në mes të karrexhatës qarkullimi do të vazhdojë me 3 korsi;
  • Në kryqëzimin e rrugës “Teodor Keko” me rrugën “Tom Plezha” automjetet mund të vazhdojnë lëvizjen drejt rrethrrotullimit të sheshit Shqiponja, lëvizjen majtas drejt rrugës “Tom Plezha” dhe lëvizjen djathtas drejt rrugëve “Nexho Konomi” dhe rrugës “Pjetër Zarishi”. Rregullimi do të bëhet me semafor;
  • Kryqëzimi i rrugës “Teodor Keko” me rrugën “Aleksandri i Madh” do të mbyllet. Automjetet mund të vazhdojnë lëvizjen vetëm drejt ose kthimin djathtas drejt rrugës “Kristaq Mone” (kthimi drejt rrugës “Aleksandri i Madh” është i bllokuar);
  • Nuk do të lejohen parkimet e mjeteve në rrugët: “Tom Plezha”, “Aleksandri i Madh”;
  • Lëvizja e këmbësorëve do të kryhet sipas programimit (kohët) e semaforëve në të dy drejtimet e lëvizjeve.

Drejtimi sheshi Shqiponja – Shkolla Teknologjike 

  • Në të gjithë gjatësinë e segmentit do të punohet në mes të karrexhatës , për rrjedhojë rruga do të ngushtohet me një korsi;
  • Mbas përfundimit të punimeve në mes të karrexhatës qarkullimi do të vazhdojë me 2 korsi minimalisht;
  • Bllokohen tre daljet e blloqeve të banimit ndërmjet urës së Lanës dhe Rrugës “Mikel Maruli”; 
  • Në kryqëzimin e rrugës “Teodor Keko” me Rrugën “Mikel Maruli” automjetet mund të lëvizin drejt ose të kthehen djathtas, automjetet që vijnë nga rruga “Mikel Maruli” drejt Rrugës “Teodor Keko” kthehen djathtas. Rreth rrotullimi në këtë rrugë nuk do të funksionojë pasi do të punohet, mjetet do te mund të rrotullohen në fund të barrierës trafik ndarëse 70m më poshtë (në rrethrotullimin e ri provizor që do të ndërtohet) për të hyrë në unazë;                                  
  • Në kryqëzimin e rrugës “Teodor Keko” me rrugën “Kristaq Mone” automjetet lëvizin vetëm drejt (do të bllokohet kthimi drejt rrugës “Kristaq Mone”);
  • Në kryqëzimin e rrugës “Teodor Keko” me rrugën “Vasil Tromara” automjetet lëvizin drejt ose djathtas
  • Në kryqëzimin e rrugës “Teodor Keko” me rrugën “Tom Plezha” automjetet lëvizin vetëm drejt (ndalohet hyrja drejt rrugës “Tom Plezha”). Automjetet që vijnë nga rruga “Tom Plezha” drejt rrugës “Teodor Keko” duhet të kthehen djathtas (do bllokohet kthimi majtas për lëvizjen drejt sheshit Shqiponja)
  • Në Rrethrrotullimin e sheshit Shqiponja do të qarkullohet me 3 korsi kalimi
  • Lëvizja e automjeteve nga Rruga “Dritan Hoxha” & Rruga “Vangjel Noti” në drejtim të Rrugës”Teodor Keko” do të realizohet nëpërmjet nënkalimit te Casa Italia

Semaforëet

Nyjet semaforike në kryqëzimet ekzistuese do vazhdojnë të jenë për arsye të sigurisë rrugore dhe menaxhimit të fluksit të trafikut, duke i riprogramuar dhe optimizuar maksimalisht brenda kushteve që lejon kantieri.

Transporti publik

Itieneraret e linjave të transportit publik, L3-Kashar dhe L13–Tirana e Re do të kenë modifikimet përkatëse që i përshtaten devijimit të fluksit të trafikut.

Ky plan menaxhimi i trafikut do të aplikohet duke siguruar sinjalistikë të nevojshme vertikale por edhe horizontale në përputhje me Manualin e Sinjalizimit Rrugor. z.tosku/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.