Duka: Pse vazhdoj ta mbështes Panuçin

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, pas ndeshjes me Uellsin sqaroi arsyet që e shtynë të vazhdojë të mbështesë Kristian Panuçin në krye të stolit të Kombëtares së Shqipërisë.

“S’është koha për vendime të nxituara. Panuçi ka të mirat e të këqijat e veta. S’kemi luksin të ndërrojmë trajner, pasi vetëm në mars fillojmë përsëri me ndeshjet zyrtare. Ne mbetemi një skuadër modeste, dhe mund të bëjmë mirë nëse të gjithë mbështesim trajnerin dhe stafin për kualifikueset e Europianit”.

Sipas Dukës nuk është Panuçi përgjegjësi i vetëm për situatën që po kalon skuadra.

“Stafi ka pasur kohën e mjaftueshme për të bërë eksperimente le të themi. Kemi fituar lojtarë si Ismajli apo Uzuni. Besoj se skuadra është konsoliduar dhe stafi tani e di se çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë. Sot diskutuam me trajnerin, pas ndeshjeve zyrtare dhe miqësore për ato gjëra që mund të mos jenë bërë mirë dhe që mund t’i korrigjojmë për të ardhmen. Flas në pikëpamjen organizative, pasi nga pikëpamja teknike nuk është se unë mund ta ndihmoj atë”, tha Duka. /o.l/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.