Bashkësia e arbanasve të Zarës, “oazi i shqiptarëve në Kroaci”

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ – Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Heroit tonë Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, Presidenti Meta dhe Presidentja kroate vizituan bashkësinë e arbanasve të Zarës, të cilësuar si “oazi i shqiptarëve në Kroaci”, ku u takuan dhe u përshëndetën përzemërsisht me përfaqësuesit arbanas, me prefektin dhe kryetarin e bashkisë së Zadarit, autoritetet vendore dhe drejtuesit fetarë, etj.

Presidenti Meta dhe Presidentja kroate Grabar-Kitarović u ndalën fillimisht në kishën “Gospe Loretske” (Zonja Jonë e Loretos), e ndërtuar gati 300 vite më parë si strehë shpirtërore dhe mbrojtëse e banorëve të rinj të Zarës.

Ata më pas vizituan shkollën fillore “Dr. Krune Krstića”, në të cilën fëmijët e bashkësisë arbanase mësojnë dhe shkollohen në gjuhën shqipe.

“Këtu janë shkolluar breza të shumtë arbanasish duke nxjerrë plejada akademikësh, studiuesish, shkrimtarësh e artistësh, të cilët krijuan vlerën e përbashkët sa arbneshe, aq edhe kroate”, vuri në dukje Presidenti Meta.

Presidentja e Kroacisë theksoi se: “Arbanasit kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin dhe mbrojtjen e Kroacisë. 11 luftëtarë Arbanas nga famullia e Zarës dhanë jetën për Atdhe.”

Duke cituar shkrimtarin e madh kroat, priftin françeskan Andrija Kaçuç Mioshiç, ai vuri në dukje se: “Nuk ka lindur nëna hero më të madh se Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në qendrën Kulturore dhe Artistike të Shoqatës “Vicko Zmajevic”, në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh se, “jam shumë i emocionuar që sot, së bashku me Presidenten Kitaroviç, të ndodhem këtu mes jush, vëllezër e motra të një gjaku arbënesh, për të kremtuar Vitin Mbarëkombëtar të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.

“Dëshiroj të falënderoj nga zemra miken e shqiptarëve, Presidenten e Kroacisë, Znj. Kolinda Grabar-Kitaroviç. Prania e saj në këtë ditë historike në Arbanas, jo vetëm që na nderon, por është tregues mirënjohjeje, vlerësimi dhe shprehje e miqësisë dhe lidhjeve të thella historike, kulturore, politike dhe ekonomike që bashkojnë dy vendet tona, veçanërisht popujt tanë”, tha Meta.

“Pak ditë më parë, vizitova së bashku me Presidentin italian arbëreshët e Italisë, ndërsa sot, jam i lumtur të vizitoj Arbanasin dhe të takoj Arbneshët tanë të shtrenjtë, këtu, në këtë vend të bukur të bregdetit dalmat ku të gjithë, shqiptarë, kroato-shqiptarë dhe kroatë, e ndjejnë veten njësoj si një familje, një vatër, një shtëpi. Ju jeni sot, kujtesa e gjallë e kombit shqiptar, për atë çka atij i ndodhi 5 shekuj më parë, atëherë kur u tentua që me zjarr e me hekur të ç’bëhej gjithçka shqiptare e mundësisht të shfarosej një komb. Por, motra e vëllezër, kjo gjë nuk u mundësua vetëm falë veprës legjendare të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut”, u shpreh Presidenti Meta.

“Epoka e Skënderbeut”, me madhështinë dhe rëndësinë e saj, përcaktoi jo vetëm fatet e kombit tonë e lirinë e tij, por njëkohësisht edhe të ardhmen e Europës dhe qytetërimit europian. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, mbetet figura më madhështore e kombit tonë, njëkohësisht emblema kombëtare, modeli i shkëlqyer i bashkimit të shqiptarëve dhe forcës së tyre në momentet më të vështira të historisë së kombit”, theksoi Presidenti Meta.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.