940 mësues ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Nëse 5 vjet më parë, në arsimin shqiptar nuk kishte as edhe një mësues ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta, buxheti i vitit 2019 parashikon 940 të tillë, me rritje krahasuar edhe me një vit më parë, ku me këta fëmijë punonin 740 mësues.

Kryeministri Edi Rama vuri në dukje gjatë prezantimit të buxhetit 2019 për Arsimin se 940 mësues ndihmës nuk janë aq sa duhet për të mbuluar nevojat e çdo fëmije me aftësi të veçanta. “Por, janë shumë më tepër sesa asnjë dhe nga ana tjetër janë shumë më tepër sesa gjysma e atyre që na nevojiten. Këtë vit mundësuam 740 mësues ndihmës dhe vitin tjetër ky numër është 940”, tha ai.

Kryeministri Rama premtoi se brenda këtij mandati, do të ketë 1 mësues ndihmës për çdo fëmijë me aftësi të veçanta. “Parë me sytë e së sotmes, çdo prind që ka një fëmijë me aftësi të veçanta, dhe nuk do ta ketë mësuesin ndihmës që vitin e ardhshëm ka të drejtë të jetë i pakënaqur, por parë me sytë e pikënisjes kur të gjithë prindërit nuk kishin mundësi të nisnin fëmijën në shkollë me mësues ndihmës, kemi bërë goxha rrugë për të ardhur deri këtu”, theksoi kryeministri Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.